Vodhi lekë dhe varëse floriri në një shtëpi, arrestohen 4 autorë, sekuestrohen 23 kg kanabis

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Çekreza”.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Krujë.

I vodhën me dhunë varësen e floririt një shtetaseje, falë veprimeve profesionale të punonjësve të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 4 autorët e dyshuar.

Në banesën e njërit prej të arrestuarve, Policia ka gjetur 23 kg kanabis, 27 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, në formë çokollate, një peshore elektronike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me varësen e floririt dhe 2 automjete të cilat dyshohet se 4 autorët i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se 4 persona i kishin vjedhur me dhunë varësen një shtetaseje, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Çekreza”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:

– R. G., 24 vjeç, B. A., 29 vjeç dhe B. M., 29 vjeç, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim;

– R. K., 26 vjeç, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Berisha”, në Çekrezë, i kanë vjedhur me dhunë varësen e floririt, shtetases E. C.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kg kanabis, 27 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa në formë çokollate dhe një peshore elektronike.

Gjithashtu u sekuestruan 2 automjete të cilat dyshohet se autorët i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit, 4 aparate celulare dhe varësja e floririt që dyshohet se i kanë vjedhur shtetases E. C.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com