Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, Gjykata e Lartë s’pranon rekursin e Redjan Rrajes
Redjan Rraja, i dyshuar si atentatori kryesor mbi automjetin e prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, me një të vrarë dhe dy të plagosur dështon në përpjekjen e radhës për të rifituar lirinë.

Gjykata e Lartë vendosi të mospranojë rekursin e paraqitur nga ish dentist i burgut, duke e lënë atë nën masën e arrestit në burg.

Njeriu i shumëpërfolur në botën e krimit iu drejtua gjykatës supreme me kërkesën për liri, me pretendimin se prokuroria nuk ka asnjë provë që e implikon ne ngjarjen e rëndë. Në dokumentin e dorëzuar në gjykatën supreme, avokati mbrojtës pretendonte se urdhri i prokurorit për arrestimin e Rrajës është i paligjshëm.

Mbrojtësi ligjor thekson se prokuroria nuk ka siguruar asnjë provë fajësie, ndërsa sqaron se 35-vjecari ka qenë duke udhëtuar drejt Italisë me automjetin e tij dhe pasaportën e tij origjinale, duke mos pasur asnjë shqetësim, pasi në të kundërt do të zgjidhte një rrugë jo ligjore për të kaluar kufirin.

Sipas avokatit Besnik Cerekja, nuk ekziston asnjë mundësi që Rredjan Rraja të prishë apo zhdukë provat, ndërsa në asnjë moment nuk ka tentuar tu shmanget drejtësisë. Ai shton më tej, se 35 vjecari është i mirëshkolluar dhe me aftësi të shkëlqyera profesionale dhe është treguar bashkëpunues me prokurorinë në çdo moment, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Pretendimet e të dyshuarit u zhbënë nga treshja gjykuese e kryesuar nga Ilir Panda, me argumentin se Gjykata e Lartë shqyrton rekurse për shkelje të ligjit, pasi shqyrtimi i provave është çështje e gjykatave me të ulëta. Redjan Rraja u arrestua pak ditë pak atentatit të mirëorganizuar tek mbikalimi I Shkozetit, pasditen e 1 nëntorit të vitit të kaluar.

Ai dyshohet se është personi që qëlloi mbi automjetin e prokurorit, duke lënë të palosur Arjan Ndoin, mikun e tij, Aleksandër Lahjo, i njohur me nofkën Rrumi si dhe shoferin Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spitalin e Trauimzës.

35-vjecari u ndalua teksa tentoi të largohej jashtë Shqipërisë, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Murriqan. Prokuroria thotë se në automjetin që u braktis nga autorët në Shkafanë janë gjetur gjurmë të Redian Rrajës. Si bashkëpunëtor I tij në krim është arrestuar Arjon Halilaj, ndërsa ende nuk është identifikuar atentatori i dytë/BW

Shtuar më 20/07/2020, ora 20:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori