Atentati në Shkodër, 49-vjeçarja: Duan të më eliminojnë, akuzova kunatin për vrasjen e motrës
Ditën e djeshme në Shkodër ndodhi një atentat zjarri ndaj një gruaje 49-vjeçare.

Nga raportimet e para u mësua se mund të kishte qënë një konflikt mes dy personash dhe gruaja e cila u plagos është qëlluar gabimisht, ndërsa ditën e sotme policia deklaron se mund të ketë qënë një atentat ndaj 49-vjeçares.

Ngjarja ndodhi dje, ku dy persona me motoçikletë kanë qëlluar ndaj shtetases Flutura Muça. 49-vjeçarja punon si shitëse në një dyqan rrobash në lagjen “Rus” dhe rreth orës 12:30, ndaj saj është qëlluar me armë.

Kalimtarët e rastit, por edhe shitësit e tjerë të pranishëm në vendngjarje, kanë përjetuar momente paniku, ndërsa gruaja që ishte në shënjestër mbeti e plagosur.

49- vjeçarja është transportuar menjëherë në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës. Stafi mjekësor bëri të ditur se shtetasja Flutura Muça ka marrë një plumb në këmbë, por fatmirë- sisht nga kjo plagë nuk i rrezikohej jeta, shkruan Panorama.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e policisë që kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet. Pasi 49-vjeçares i kanë hequr plumbin përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale, ajo është marrë në pyetje nga efektivët blu të Shkodrës.

Burime pranë Policisë bëjnë me dije se e plagosura është motra e Suela Muçës, 38-vjeçares, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Sadetin Sula, në prill të vitit të kaluar në biznesin e tyre mobilieri “Europa”.

Nga sa bëhet e ditur, shtetasja Flutura Muça ka deklaruar se plagosja e saj lidhet pikërisht me ngjarjen e motrës së saj, Suelës. Sipas dëshmisë së dhënë prej saj, ky atentat ndaj saj nuk është asgjë tjetër veçse një porosi e Sadetin Sulës, ish-bashkëshortit të motrës së saj. Sadetini aktualisht vijon të jetë në paraburgim në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa është në pritje të vendimit të gjykatës.

Por konfliktet mes familjeve kanë vazhduar pasi Sula nuk pranon krimin, ndërsa familja e së ndjerës hedh akuza ndaj tij dhe kërkon dënimin maksimal.

E plagosura nuk ka arritur që t’i identifikojë autorët, sepse kanë qenë me skafandër, por ka dëshmuar se kjo ngjarje lidhet me atë të së motrës, e cila u gjet e vdekur në mobilieri “Europa”, ngjarje për të cilën akuzohet shtetasi Sadetin Sula.

Policia e Shkodrës, në deklaratën zyrtare bën me dije se ngjarja e ndodhur rreth orës 12:30, në lagjen “Rus”, po hetohet duke tentuar për zbardhjen e saj. Zyrtarisht, Policia nuk jep shumë detaje për plagosjen e shtetases Flutura Muça.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp theksohej plagosja e saj me armë zjarri dhe se është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorët, sipas dëshmitarëve, kanë qenë me skafandra”./albeu.com/

Shtuar më 19/02/2017, ora 11:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori