Atentati mafioz, si i shpëtoi burgut për 4 vrasje kunati i Lul Berishës
Plarent Dervishajt, qe dje iu be atentat ne autostrade, njohur si kunati i Lul Berishes, në prill të vitit 2015, edhe pse ishte një nga personat më të kërkuar nga Interpol dhe FBI, (dyshohej se fshihej në SHBA), u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, edhe pse akuzohej për të paktën vrasjen e katër personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Ky vendim erdhi pasi më parë Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim vendimin e dhënë në korrik 2012 nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, që e dënonte Dervishajn me burgim të përjetshëm.

Vendimi i Gjykatës së Lartë theksonte se nuk kishte prova për dënimin e tij dhe për këtë arsye urdhëroi kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.

Dënimi i Dervishajt, por edhe i shumë anëtarëve të tjerë të “Bandës së Durrësit”, me në krye Lulzim Berishën, ishin dënuar kryesisht mbi bazën e dëshmisë së dhënë nga i penduari i grupit dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Dritan Coli, i cili shumë herë përmend dhe emrin e të plagosurit tjetër, Juljan Meçe.

“Duke i analizuar dhe vlerësuar me kujdes të gjitha aktet dhe provat e mësipërme, nëpërmjet ‘cross-examination’, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konstaton se, deklarimet e bëra në seancë gjyqësore nga i gjykuari Dritan Coli, në lidhje me pjesëmarrjen e të gjykuarit Plaurent Dervishaj, si bashkëpunëtor, në rolin e ekzekutorit, në kryerjen e veprës penale të: ‘Vrasjes me paramendim’, në bashkëpunim në dëm të shtetasit Dritan Sallaku, si dhe të veprave penale të ‘Vrasjes me dashje’, në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasve Ilir Nelaj dhe Agim Rexhepi, mbeten të vetme dhe nuk përputhen apo nuk shoqërohen me asnjë provë tjetër direkte apo indirekte”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë, arsyetim i përdorur dhe në vrasjet e tjera, për të cilat akuzohej Dervishaj.

Gjyqtarët që rrëzuan akuzat ndaj Plarent Dervishajt në Gjykatën e Lartë ishin Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli dhe Andi Çeliku. Dy të parët të shkarkuar nga vetingu, ndërsa i fundit u largua me dëshirën e tij nga sistemi i drejtësisë për të shmangur kalimin në veting.

Këta gjyqtarë, në këtë vendim, përveç rrëzimit të dënimit të Dervishajt, rrëzuan dhe një pjesë të akuzave për Lulzim Berishën, duke hequr dënimin me burgim të përjetshëm dhe lënë një vendim me 25 vite burg.

Gjyqtarët kundër në vendimin e kolegjit të Gjykatës së Lartë, që i dha pafajësinë Dervishajt, ishin Admir Thanza dhe Ardian Dvorani, të cilët i dhanë të drejtë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për dënimin me burg të përjetshëm të Dervishajt.

Dëshmia për vrasjen e Tan Sallakut

Për vrasjen e Dritan Sallakut dhe plagosjen e dy personave të tjerë më 17 tetor 1998, i penduari Dritan Coli rrëfeu para Gjykatës se si Plarent Dervishaj kishte bërë rolin e “heroit” në këtë ngjarje.

“Atë ditë që u vendos me i gjujt Tan Sallakut, Luli më nis për të shkuar në Tirane te Geri, nuk ia di emrin e plotë, ai shoqërohej me Denin, pronarin e lokalit “Berluskoni”… Kur i ra telefoni Lulit, ne ishim ne tavolinë dhe Luli gërthiti, ec se ka ardhur Tani… Pasi foli Luli, ata hipëm në makinën BMV.

Ishte Luli shofer, Klodian Saliu pasagjer, Ilir Xhunga dhe Plaurent Dervishi mbrapa dhe u nisën te lokali ku ishte Tani, sipas njoftimit që morën në telefon.

Më pas, kam mësuar se Klodi kishte nxjerrë dorën nga makina brenda për të qëlluar, por pistoleta nuk kishte shkrepur.

Pastaj, mbrapa Klodit ishte Plarenti, i cili nxori ‘Skorpionsin’ dhe gjuajti”, thuhet në dëshminë e Colit.

Lirimi i Lul Berishës dhe Indrit Taullait

Dënimi i anëtarëve të “Bandës së Durrësit” ishte një nga gjyqet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në vend. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dënoi me burg të përjetshëm disa nga emrat kryesorë të bandës, siç ishin Lulzim Berisha, Indrit Taullai, Endrit Dokle dhe mes tyre edhe Plarent Dervishaj.

Aktualisht, vetëm Endrit Dokle ndodhet në burg, pasi Berisha dhe Taullai kanë përfituar ulje dënimi, nga 25 vite burg që morën si përfundim.

Lulzim Berisha u lirua më 5 dhjetor 2016 me një vendim të diskutueshëm nga Gjykata e Apelit dhe një sërë vendimesh të tjera të dyshimta, përfshi një garanci nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Prokuroria nisi pas kësaj hetimet për gjykatësit që kishin dhënë ulje dënimi, ndërsa urdhëroi edhe arrestimin e dy zyrtarëve të Burgut të Durrësit, që dyshohen për falsifikim dokumentesh që kishin ndihmuar lirimin.

Indrit Taullai, i dënuar me 25 vite burg, fitoi lirinë më 29 qershor 2017, duke kryer vetëm 14 vjet burg. Ai u lirua, pasi Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e avokatit të tij dhe vlerësoi se gjendja shëndetësore e të dënuarit ishte e rëndë dhe “qëndrimi në burg i rrezikonte seriozisht jetën”, edhe pse ishte dënuar për tre vrasje. /Panorama/
Shtuar më 21/06/2019, ora 12:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori