Atentate dhe makina të blinduara, çfarë po ndodh me bandën e frikshme të Selenicës
Plagosja e mikut të Llanajve, Mikel Mehmetajt, mbrëmjen e së hënës në Vlorë, është ngjarja më e fundit kriminale e një kalvari të gjatë atentatesh me vrasje dhe plagosje, ndaj asaj që quhet “banda e Selenicës” dhe që përbëhet nga anëtarë të fisit Llanaj.

Zanafilla e këtyre konflikteve të përgjakshme daton më shumë se 20 vite më parë, në vitin 1998, kur anëtarë të familjeve Llanaj dhe Petraj u përfshinë në një konflikt për motive të dobëta, e ku mbeti i vrarë kunati i Baftjar Llanajt, e pak më vonë u plagos edhe një anëtar i fisit Petraj.

Pesë vite më vonë, në vitin 2003, vritet një nga vëllezërit e fisit Petraj. Hakmarrjet e nisura do të vijonin në qershor të vitit 2011, kur në vendin e quajtur “Bishti i Malit” ekzekutohet me armë automatike 62-vjeçari Baftjar Llanaj.

Për këtë ngjarje u arrestuan Ardian Azizi dhe Fatmir Petraj. Pas kësaj ngjarjeje, fisi i Llanajve filloi të forcohej duke krijuar bandën e tyre, e filluan të lëviznin me mjete të blinduara dhe të shoqëruar nga persona të armatosur.

Kalvari i hakmarrjeve do të shënonte ngjarjen e radhës të përgjakshme, atë të 7 prillit në lagjen “Çole” të Vlorës, ku u ekzekutuan 3 të rinj brenda një lokali. Për këtë krim u dënua me 35 vite burg Aleksandër Llanaj.

Më 1 tetor të vitit 2017 do të shënohej ngjarja e radhës kriminale, që kishte në shënjestër anëtarë të fisit Llanaj.

Në rrugën transballkanike të qytetit bregdetar i bëhet atentat Ferdinand Llanajt, i cili udhëtonte me një mikun e tij.

Madje, plumbat nuk kursyen në këtë ngjarje edhe një fëmijë që ndodhej në automjetin e Ferdinandit. Fatmirësisht kjo ngjarje shënoi vetëm të plagosur.

Si për të konfirmuar që hakmarrjet e nisura dy dekada më parë ndaj fisit Llanaj, jo vetëm që nuk janë shuar, por kërkojnë të marrin jetë të tjera, shërbeu atentati ndaj mikut të Llanajve, Mikel Mehmeti, mbrëmjen e 14 janarit të këtij viti, ku Mehmeti mbeti i plagosur rëndë, ndërsa autorët janë ende në kërkim. /Top Channel/
Shtuar më 16/01/2019, ora 15:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori