At Nikolla: Të largohet Janullatos
Pëlqej
Albeu.com
{nl}{nl}{nl}Kreu i Kishës Shën Maria në Elbasan ka ngritur akuza të ashpra ndaj kryepeshkopit, pas emërimit të priftit grek.  "Janullatos po thellon veprimet antishqiptare. Nuk është më fetar, por agjent shovinist i Vorio-Epirit".Emërimi i peshkopit të ri grek, në krye të kishës ortodokse të Gjirokastrës ka sjellë një reagim të ashpër të këshillit të kishës ortodokse autoqefale Shën Maria në Elbasan, me në krye at Nikolla Markun. Famulltari i kishës së vjetër ka deklaruar dje, gjatë një konference për shtyp se emërimi i priftit grek si peshkop i Gjirokastrës është një veprim tejet i rrezikshëm, jo vetëm për pavarësinë e kishës, por edhe për sovranitetin e kombit shqiptar. Ai ka hedhur akuza të rënda ndaj hirësisë së tij, Anastas Janullatos duke deklaruar se ai po vazhdon të thellojë veprimet antishqiptare për tjetërsimin e Jugut të Shqipërisë, duke vendosur në përbërje të Sinodit të Shenjtë priftërinjtë grekë. “Shteti grek ka gjunjëzuar në këtë rast shtetin shqiptar, duke bërë presion me refugjatët, të cilët i ka kthyer në skllevër. Statusi i Shenjtë dhe i përjetshëm i kishës Ortodokse shqiptare është shkelur përfundimisht, duke i shërbyer qarqeve Vorio- Epiriote. Veprimet që ndjekin njëri-tjetrin në dëm të kombit shqiptar, si kthimi i emrave të njerëzve, ndërtimi i varrezave greke, dhënia e pensioneve, shpërndarja e librave për Vorio- Epirin, dhënia e dyshtetësisë e të tjera, janë veprime që përkrahen direkt nga shteti grek me misionar Anastas Janullatosin. Të gjithë këto veprime që i kemi thënë disa herë, tregojnë qartë se misioni i i Janullatos nuk është më fetar, por ai i një agjenti të asfalisë greke dhe i shovinizmit grek të Vorio -Epirit”-deklaroi dje an Nikolla Marku.
***
Për arsyet e mësipërme, këshilli i kishës Shën Maria ka dalë dje me një deklaratë, e cila i bën thirrje opinionit kombëtar për mbështetje. Në këtë deklaratë, e at Nikolla Marku thekson faktin se pensionet, ndërrimi i emrave nga shqiptarë në grekë dhe ndërtimi i kishave në formën e kishave greke nuk mund të tjetërsojë indetitetin shqiptar. “Kërkojmë me forcë ndërhyrjen e parlamentit të Shqipërisë që të miratojë ligjin përkatës për administrimin dhe drejtimin e subjekteve fetare në Shqipëri, si hap i domosdoshëm për ruajtjen e sovranitetit të besimit dhe të kombit shqiptar. I bëjmë të ditur organizmave ndërkombëtarë si dhe ambasadorëve të vendeve mike të Shqipërisë se Anastas Janullatos nuk përfaqëson kishën Ortodokse shqiptare dhe se është një person nxitës konfliktesh ndërfetare në Shqipëri, me politikat e tij shoviniste greke. Kërkojmë gjithashtu nga Këshilli i Evropës ndërhyjen e tij autoritare ndaj Greqisë, e cila nxit dhe provokon veprime në dëm të Shqipërisë. Integrimi i Shqipërisë nuk duhet të jetë Vorio- Epir, por evropianizëm historik”,- shtoi më tej at Nikolla.
***
Nëpërmjet at Nikolla Markut, këshilli i kishës Shën Maria në Elbasan i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës të largojë menjëherë nga Shqipëria skuadrën e priftërinjve grekë, me në krye Janullatosin. “I bëjmë thirrje ligës shqiptaro-amerikane, me qendër në SHBA që të bëjë prezent para Kongresit Amerikan dhe presidentit Bush gjendjen e krijuar nga ndërhyrja e shtetit grek në punët e brendshme të Shqipërisë, por sidomos në Kishën Ortodokse Shqiptare dhe tek besimtarët e saj. I bëjmë thirrje besimtarëve ortodoksë gjirokastritë, por edhe qytetarisë që të mos dëshpërohen nga emërimi i grekut në krye të Peshkopatës, sepse është një komb i tërë që mbron sovranitetin e besimit ortodoks si dhe identitetin e tij shqiptar. U kujtojmë atyre pak të shiturve me pensione e viza greke se ka ende kohë të reflektojnë dhe të mos përdoren në dëm të Shqipërisë, përpara se zjarri i ferrit t’i djegë përjetësisht”. Në deklaratën e Këshillit të kishës Shën Maria theksohet se mesazhi është i qartë për të gjithë. Duhet reflektuar që nga intelektualët e Shqipërisë e deri tek besimtari më i thjeshtë, që nga shoqatat patriotike e deri tek partitë e institucionet e larta të shtetit shqiptar. Duke mbyllur deklaratën e tij, Nikolla Marku deklaron se besimi tek Zoti nuk mund të justifikojë përçarje kombëtare e tjetërsim të identitetit tonë historik duke kërkuar që Janullatos të largohet së bashku me priftërinjve grekë që drejtojnë institucionet fetare në Shqipëri. nga Bardha Nergjoni, shekulli
Shtuar më 29/11/2006, ora 12:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori