Përparim Rama sot merr detyrën e kryetarit të Prishtinës

Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot, e martë, do të marrë detyrën e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Mbledhja inauguruese ku pritet të bëhet betimi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe betimi i kryetarit Rama do të nisë në ora 10:00.

Pas përfundimit të kësaj mbledhje inauguruese do të bëhet pranim-dorëzimi ceremonial i detyrës së kryetarit të Prishtinës, nga Shpend Ahmeti te Përparim Rama.

Rama fitoi zgjedhjet në Prishtinë në rundin e dytë, atë të balotazhit, duke e përmbysur rezultatin nga rundi i parë kur doli i dyti pas Arben Vitisë së Vetëvendosjes.

Një ditë para dorëzimit të detyrës, kryetari i deritashëm, Shpend Ahmeti, ka përmbledhur rrugëtimin e tij në krye të Prishtinës duke thënë se “në Prishtinë është përmirësuar dukshëm jeta në qytet”.


Shtuar 7.12.2021 09:10