Asnjë shans për azil në Belgjikë apo Francë, riatdhesohen 31 shtetas shqiptarë
31 shtetas shqiptarë, të cilët kërkonin azil në Francë dhe Belgjikë janë riatdhesuar. Operacioni i riatdhesimit, u zhvillua në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë franceze dhe belge.

Gjatë fluturimit të përbashkët mes Francës e Belgjikës u kthyen 31 shtetas shqiptarë, që iu ishte refuzuar kërkesa për qëndrim, ndër të cilët 27 shtetas nga Franca dhe 4 nga Belgjika.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.

Policia Kufitare ka forcuar masat në kontrollin e dokumentacionit në dalje në të gjitha pikat e kalimit si dhe ka shtuar patrullimet në kufirin e gjelbër. Në kufirin me Greqinë është duke u zhvilluar operacioni i përbashkët me FRONTEX.
Shtuar më 17/09/2019, ora 17:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori