Asnjë gjurmë për shqiptarin e hedhur nga trageti në det
(UPDATE) Po vazhdojnë pa asnjë rezultat kërkimet në det të hapur për shtetasin shqiptar Eduard Teodori i cili u hodh nga trageti "Arberia", i linjës Durrës-Bari sot në mëngjes. Zyrtarët e rojës bregdetare italiane kanë thënë se në kushtet e një deti të qetë, tri anije kanë qëndruar në patrullim në zonën ku shqiptari u hodh nga trageti.

Bëhet fjalë për një zonë detare në ujërat puljeze. Në ora 05:00 të mëngjesit, shtetasi shqiptar ka dalë nga dhoma e tragetit ku qëndronte me partneren e tij. Vajza ka qëndruar në dhomë kurse Eduart Teodori, ka veshur një xhaketë shpëtimi dhe është hedhur nga bordi i tragetit në det në të paktën dhjetë metra lartësi.

Mbërritja e tragetit në Bari ishte planifikuar në ora 09:00 por mjeti lundrues u vonua deri në 13:30 pasi kapitaneria dha alarmin për rënien e pasagjerit në det.
Asnjë gjurmë e tij nuk është gjetur megjithë kërkimet e shumta. Nën zë, zyrtarët në portin e Barit thonë se për shkak të detit të qetë, shqiptari mbase ka shpëtuar për shkak të xhaketës që veshi para aktit të rëndë, por nuk mungojnë edhe dyshimet se pasi ka rënë në det, ai mund të jetë ndeshur me helikat e mjetit lundrues.

Pas mbërritjes së tragetit në Itali, policia vendase ka shkuar në bord dhe për disa orë ka marrë në pyetje dëshmitarët.
Shtuar më 07/01/2011, ora 21:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori