Ashton në Tiranë: Zgjedhje të besueshme, politikanë të përgjegjshëm
Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi takimin mes kryetarit të shtetit dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.


Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Nga ana e tij Presidenti Nishani garantoi Baroneshën Ashton se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Ai theksoi se sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

Mësohet se një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2013, ora 13:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori