Ashton ka plan per Kosoven
Albeu.com
Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ua ka shpërndarë propozimin e rezolutës për Kosovën vendeve anëtare të BE-së, me të cilën miratohet mendimi i GJND-së, kurse Beogradi dhe Prishtina ftohen për dialog, “në frymën e marrëdhënieve ndërfqinjësore”.Në tekstin e projektrezolutës nuk përmendet askund statusi i Kosovës, raportojnë mediet.

Zyra e Catherine Ashton ua ka shpërndarë vendeve anëtare të BE-së projektrezolutën për Kosovën vetëm dy ditë pasi që Serbia ia ka dorëzuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së propozimin e dokumentit të vet për Kosovën, pas mendimit të GJND-së.

“Miratojmë me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së nga data 22 korrik e vitit 2010 të dhënë në bazë të kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksohet në tekstin e projektrezolutës.

“Asambleja e Përgjithshme përshëndet qëllimin e palëve që të vazhdojnë zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, demokracinë, bashkëpunimin rajonal e ekonomik në përputhje me perspektivën e tyre evropiane”, theksohet në dokument për përmbajtjen e të cilit do të deklarohen gjatë ditëve të ardhshme veç e veç vendet anëtare të BE-së.

Autorët e kësaj rezolute konsiderojnë se BE do t’ia dalë të sigurojë komunitetin rreth thelbit të tekstit, meqë gjuha dhe toni i dokumentit janë “padyshim” të pranueshme edhe për pesë anëtaret e tjera të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro.

Propozimi i rezolutës së BE-së, nga mediet e Beogradit njoftohet se u hartua “menjëherë pasi që shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq i dorëzoi Asamblesë së Përgjithshme propozimin serb të dokumentit, me të cilin propozohet që Asambleja e Përgjithshme “të marrë në dijeni” mendimin e GJND-së, dhe që palët “të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht për të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut paqësor, një interes të paqes, sigurisë dhe të bashkëpunimit në rajon”. (koha)
Shtuar më 30/07/2010, ora 20:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori