Asambleja Parlamentare sot diskuton për situatën në Kosovë dhe çfarë thotë Mariane Tric
Albeu.com
Asambleja Parlamentare Këshillit të Evropës sot diskuton për raportin dhe situatën politike në Kosovë gjatë sesionit të rregullt pranveror.Ndërkohë pritet që pasdite të miratohet edhe një rezolutë për Kosovën në bazë të raportit të Komitetit Politik të cilin sot pasdite do ta prezantojë Mariane Tric.
Në këtë raport përmblidhen përparimet dhe mangësitë që janë bërë në Kosovë si edhe mundësitë e angazhimit të Këshillit të Evropës për realizimin e mëtejshëm të standardeve, si edhe tërhiqet vëmendja për probleme akute, si krimi i organizuar, shërbimet e fshehta, mbrojtja dhe siguria e pakicave, si edhe dëbimi i kosovarëve nga vendet perëndimore.
Duke folur për përshtypjet nga vizita e saj në Kosovë, zonja Tric tha për "Dojçe velen" se ka parë "zell të madh për të treguar se me sa vendosmëri kosovarët po zbatojnë standardet, si për shembull atë të decentralizimit dhe të mbrojtjes së pakicave". Por ajo kritikoi partitë politike, që sipas saj, "po bëhen pre e një bllokade mendore", duke u "fiksuar tek çështja e statusit".
Ndërkaq, duke folur për kthimin e refugjatëve në Kosovë, Mariane Tric paralajmëroi rrezikun që gjatë viteve të ardhshme të kthehen afro 200 mijë kosovarë nga vendet perëndimore.
"Më duket johumane të dëbohen me detyrim njerëz që jetojnë këtu që prej shumë vitesh, fëmijët e të cilëve kanë lindur ne Gjermani e po shkojnë rregullisht në shkollat e ketushme", tha zonja Tric. QIK
Shtuar më 21/06/2005, ora 18:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori