Asambleja parlamentare e NATO-s kërkon statusi i Kosovës të zgjidhet këtë vit
Albeu.com
Asambleja parlamentare e NATO-s kërkon që zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës duhet të arrihet deri në fund të këtij viti, tha sot në Prishtinë, kryesuesi i delegacionit, gjermani Karl Lamers pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu.Zoti Lamers tha se Asambleja e ka të qartë se gjendja e tanishme është e paqëndrueshme, ndërsa kërkojnë angazhim të të gjithë faktorëve në mënyrë që kryenegociatori Marti Ahtrisari të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje deri në fund të këtij viti. "Nuk duhet të shtyhet zgjidhja e statusit", tha ai. NATO-ja dhe vendet anëtare të saj janë të përkushtuara që të ruhet stabiliteti në Kosovë dhe në rajon, theksoi ai, duke shtuar se gjendja e tanishme në Kosovë është e paqëndrueshme. "Të gjithë e dimë se populli i Kosovës ka pritur shumë gjatë për të ardhur deri te një zgjidhje pozitive, si rezultat i bisedimeve për statusin. Për këtë arsye, ne të gjithë pajtohemi që kjo zgjidhje nuk do të vonohet", vuri në dukje Lamers duke kërkuar angazhimin e të gjithëve që të bëhet ç'është e mundur që të arrihet deri te një zgjidhje pozitive. "Nëse të gjithë bashkëpunojmë dhe angazhohemi që të arrijmë një marrëveshje, atëherë kjo mund të ndodhë deri në fund të këtij viti. Ky është qëllimi ynë dhe mendoj se këtë edhe do ta arrijmë", theksoi Lamers. Presidenti Sejdiu ripërsëriti qëndrimin se statusi duhet të zgjidhet brenda këtij viti dhe për këtë kërkoi mirëkuptimin e të gjithë faktorëve të përfshirë në këtë proces. "Është reale të punojmë që zgjidhja e statusit të bëhet brenda këtij viti me angazhimin e gjithë faktorëve të rëndësishëm në këtë drejtim. Unë kam parasysh edhe qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe nuk dëshiroj të krijojë disonanca". Presidenti tha se pala kosovare duhet të bëjë punën e saj dhe që të japë garancionet për të ardhmen e Kosovës. Ai falënderoi angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s, si dhe në nivelin politik të vendeve anëtare të saj për kontributin dhe investimin që kanë bërë në Kosovë, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në fusha të tjera. Delegacioni 18 anëtarësh i Asamblesë parlamentare të NATO-s, u takua edhe me kryeministrin Agim Çeku dhe me kryetarin e Kuvendit, Kolë Berisha, duke treguar përkushtimin dhe interesimin e NATO-s për zhvillimet në Kosovë në prag të zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Shtuar më 06/10/2006, ora 09:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori