Kumbaro i përgjigjet deputetes së PD: Shqipëria, e dyta në botë për rikuperimin e turistëve

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro nga foltorja e Kuvendit i është përgjigjur deputetes demokrate Ina Zhupa. Kjo e fundit ka thirrur për interpelancë ministren lidhur me sezonin e turizmit dhe problematikat që e shoqëronin.

Zhupa tha se Kumbaro duhet të ishte larguar pas ngjarjeve të rënda që shoqëruan sezonin turistik, ku kulmi arriti me ngjarjen e rëndë në Potam.

Ndërsa Kumbaro, e cilësoi sezonin turistik si më të suksesshmin.

“Saranda është rasti tipik, por jo i vetmi ku sezoni turistik nuk mbyllet në gusht por vijon edhe në vjeshtë. Në muajin shtator kishte turistë gjermanë, italianë, polakë dhe shumë nga vendet nordike. Ky shtator është më i miri për sa i përket numrit të turistëve. Edhe muaji tetor konfirmohet më i mirë se sa tetori i një muaji më parë, pasi vijojnë rezervimet.

Në Sarandë dhe në Ksamil ka rreth 900 njësi akomoduese, çka përkthehet në mbi 25 mijë shtretër. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kemi një rritje të prurjes me mbi 25%. Po flas vetëm për Sarandën.

Pas një pause 3-vjeçare kemi një rikthim të turistëve nordikë. Risi ishte ardhja e turistëve spanjollë, që kaloi mbi 4.5 herë më shumë se vitin e kaluar. Edhe ata italianë erdhën 85% më shumë se vitin e kaluar. Suksesi i kësaj vere ishte dhe hapja e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Këto flukse kanë ndikuar dhe në shitjen e pasurive të patundshme në Gjirokastër duke synuar jo vetëm turizmin në Gjirokastër por edhe në bregdetin e Sarandës.

Kjo verë nga qershori deri në shtator ka pasur çdo javë nga një artikull në mediet ndërkombëtare duke i bërë jehonë turizmit. Një aspekt shumë i rëndësishëm ka qenë përpjekja e bashkisë për të mbajtur pastër një territor që për 3 muaj u popullua 10 herë më shumë se numri i banorëve që jetojnë aty për 9 muaj të tjerë. Padyshim që Saranda ishte më e pastra këtë verë, ashtu siç ishin dhe bashkitë e tjera.

Ministria e Turizmit ka filluar punën për vitin 2023. Në datën 1 nëntor deri në 30 nëntor do të jetë faza e aplikimit të subjekteve që punojnë dhe ndërtojnë ekonomi në këtë sektor. Turizmi këtë vit ka qenë jo vetëm më i mirë se çdo vit, por flet dhe për një shtirje në kohë.

Nëse frekuencat e para fillojnë në mars dhe vijojnë deri në nëntor, kjo tregon që zhvillimi i atraksioneve të reja turistike, e bëjnë Shqipërinë vërtetë ashtu sikurse në fakt e ka nxjerrë dhe Organizata Botërore e Turizmit, që e radhit Shqipërinë të parin vend në Evropë për rikuperimin e numrit të turistëve pas pandemisë me 19% më shumë vizitorë dhe të dytin në botë”, tha Kumbaro.