Rrezikuan të mbyteshin në det pasi varka pësoi defekt, shpëtohen 4 pjesëtarë të një familjeje, mes tyre 2 fëmijë të mitur

Shërbimet e Policisë Kufitare në Durrës i kanë shkuar në ndihmë një familjeje 4 pjesëtarë, mes tyre 2 fëmijë të mitur, të cilët rrezikuan të mbyteshin në det.

Sipas njoftimit zyrtat, mjeti me të cilin lundronin pësoi defekt në det të hapur.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Durrës janë njoftuar se 4 pjesëtarëve të një familjeje, mes tyre 2 fëmijë të mitur, iu rrezikohej seriozisht jeta, në det, pasi mjeti lundrues (varkë plastike) me të cilin po lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt, në gjirin e Durrësit.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Durrës janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar. Si rezultat i operacionit të shpëtimit, 4 familjarët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues që kishte pësuar defektin, u nxor në breg duke u tërhequr nga mjeti lundrues i Policisë Kufitare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjithashtu Policia Kufitare i ka ardhur në ndihmë dhe një shtetasi tjetër, pasi mjeti lundrues Jet Ski pësoi defect.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport janë njoftuar se një shtetas kishte mbetur i bllokuar në det, në zonën e quajtur “Bovat”, për shkak se mjeti lundrues Jet Ski që drejtonte, kishte pësuar defekt në motor.”

Mbërritja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare, në zonën e sinjalizuar, si dhe ofrimi i ndihmës, bënë të mundur që drejtuesi i mjetit lundrues Jet Ski, shtetasi S. I., të nxirrej në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, u tërhoq./albeu.com.


Shtuar 14.07.2023 16:06

Tags: