Arvizu: Jo politizim drejtësisë, ja 6 rekomandimet
Reforma në drejtësi është sjellë në fokus nga ambasadori Arvizu dhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Në tryezën e organizuar për reformën në drejtësi, Naço ka shprehur domosdoshmërinë e një reforme të thellë dhe gjithpërfshirëse. Më tej ai e ka cilësuar reformimin si domosdoshmëri.

Ai nënvizoi se duhen ndryshuar kushtet për zgjedhjen e anëtarëve të KLD, në mënyrë që ti hapet rruga prurjeve nga Shkolla e Magjistraturës. “Kam bindjen dhe besoj se ne kemi edhe gjyqtarë me integritet. Për këtë arsye qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë hapat e nevojshme për mbështetjen e sistemit gjyqësor nga ana financiare. Integrimi i vendit është emëruesi i përbashkët. Mund të kërkohen ndryshime kushtetuese për Gjykatën e Lartë. Të ndërhyhet tek procedurat e emërimit në Gjykatën Kushtetuese. Të ngrihet këshill i pavarur për shqyrtimin e kandidaturave”, deklaroi Naço.

Ndërkaq, fjalën e mori edhe ambasadori i SHBA në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, i cili tha se SHBA e konsiderojnë reformën në drejtësi si përparësi. Ai ftoi shumicën që të diskutojë me opozitën, ndërsa për këtë të fundit kërkoi që të mbajë nën kontroll retorikën.

Arvizu ka rekomanduar për aktorët politikë 6 pika kryesore, që reforma në drejtësi të jetë e suksesshme.

1- Merrni hapa të matur, reforma gjyqësore është maratonë dhe jo vrapim shpejtësie
2- Procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës
3-Udhërrëfyesi i BE të shërbejë si parim kyç
4- Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe aktorëve përkatës
5- Duhet të kërkohet pjesëmarrje nga Komisioni i Venecias
6- Procesi nuk duhet të politizohet, por duhet të jetë konsekuent me nevojat e shqiptarëve.

“Kjo reformë duhet projektuar për të shëruar sistemin dhe jo për qëllime politike. Është koha të ndërtohet besimi për të ecur përpara, në një proces gjithëpërfshirës dhe jo politik.

Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur duke ju qasur të gjitha grupeve të interesit, përfshirë edhe opozitën politike në një mënyrë të sinqertë. Gjithashtu i përket opozites të mbajë perspektive të shëndetshme, të mbajë nën kontroll retorikën dhe të jetë më pak konfrontuese”, tha Arvizu. /albeu.com/


Shtuar më 31/10/2014, ora 11:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori