Arvizu dhe "fillimi i fundit" për PD-në!
Nga Alfred Peza

Besoj se ata pak njerëz në PD që dijnë ti lexojnë mire mesazhet amerikane, edhe kur ato vijnë nga një ambasador në “pension” si Arvizu, kanë ditur që të nxjerrin mësimin e duhur këtë radhë. Eshtë e qartë se shumica tjetër, as nuk di, por mbi të gjitha, as nuk do. E para, sepse ka kohë është në modë, një qëndrim refraktar “en block” për çdo kritikë që i bëhet në anglisht, opozitës në përgjithësi. E së dyti, sepse ka një mbyllje totale veshës, për çdo kritikë që vjen nga njerëz që kanë drejtuar selinë e Rrugës së Elbasanit, veçanërisht në Shqipëri.

Ka shumë gjëra në atë intervistë që janë pjesë e një bisede njerëzore normale, që një njeri që ka shërbyer për 4 vjet si kryediplomat i SHBA në Tiranë, mund ti ndajë natyrshëm me njerëzit e një vendi që e kanë ende të freskët në memorie, punën e tij. Ka më pak gjëra, që janë mesazhe që lexohen nga politikanë e opinionbërës, e nga njerëz të angazhuar që u pëlqen ta kuptojnë polikën, më shumë sesa një konsumator tifoz. Por ka edhe një mesazh “të koduar” që ndoshta duhet lexuar pak më mirë, e të kuptohet pak më shumë, nga veshët e duhur.

“Që te jem i sinqertë, nëse kthej kokën nga e shkuara, kur u zgjodh Basha si kryetar bashkie, ky ishte fillimi i fundit për Partinë Demokratike”,- ishte fjalia kyçe që bëri më shumë përshtypje, e për rrjedhojë që zuri më shumë tituj ndër lajmet që e pasqyruan intervistën e z. Arvizu, në media të ndryshme. E jo pa arësye. Sepse realisht duket se aty fshihet edhe “djalli”, nëse jemi mësuar gjithmonë që të kërkojmë një të tillë, në çdo rast si ky. Pasi e përcollën lajmin siç edhe u tha, përgjithësisht mediat u mjaftuan me kaq. Pa u ndalur për ta thelluar, e për ta shoqëruar atë me ndonjë analizë, qoftë edhe të përciptë.

Sigurisht që intervista e z. Arvizu nuk është e tillë prapa së cilës duhet të kuptosh patjetër një mesazh, që duhet deshifruar me ndonjë formulë magjike, të cilën e zotërojnë ata fare pak njerëz, që edhe duhet ta marin atë. Por, duke u bërë nga një njeri që nuk ka asnjë merak sot, që fjalët e thëna prej tij, të jenë domosdoshmërisht “politikisht korrekt”, ish ambasadori e tha atë që donte, në mënyrën më të troçtë të mundshme. Aq sa pikërisht kjo gjë, e bën ndoshta edhe të duket, si një mesazh i koduar.

Në fakt, e vërteta është shumë e thjeshtë, për ti vënë një diçiturë të goditur, asaj që ka ndodhur me Partinë Demokratike dje në opozitë. “Fitorja” e Lulzim Bashës në zgjedhjet lokale kundër Edi Ramës, për kreun e Bashkisë së Tiranës më 2011, nga mundësia për të qenë pika kulminante e 8 viteve të qeverisjes së saj, u shndërrua në pikën e kthesës negative, që shënoi edhe atë që Arvizu e përkufizoi si “fillimin e fundit për PD-në”. Një kthesë që tashmë e dimë të gjithë, se u mor nga tundimi për ta gjetur “fitoren” me çdo kusht e me çdo çmin, në errësirën e “kutive” të gabuara… Kjo ishte e vërteta e PD, të cilën po e vuan edhe sot, e me sa duket do ta vuaj jo pak, edhe në të ardhmen.

Njëra e vërtetë është ajo që ka përshkruar më pas edhe vetë Edi Rama tek libri i tij “Kurban”. Ajo fitore me vetëm 10 vota diferencë, ishte mësimi i tij më i madh që kishte marë deri atëherë në politikë. Për tu bërë pas kësaj, jo vetëm e vërteta e madhe e tij, por edhe e vërteta e vërtetë e Partisë Socialiste dhe e të gjithë socialistëve të thjeshtë. Ajo ishte pika e kthesës që shënoi fillimin e ri të së majtës, përgjatë atyre dy viteve mjaft të vështira në opozitë, që e çuan drejt fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

E vërteta tjetër, është e vërteta e amerikanëve dhe e Shqipërisë. Një e vërtetë që u shpreh me gojën e Arvizu: “Berisha dhe Basha morën rrugën e gabuar, morën mesazhin e gabuar nga ato zgjedhjet. Berisha filloi të konsolidoj fuqinë e tij, filloi të jetë më arbitrar, si me zgjedhjen e Presidentit. Punësuan lobistë amerikanë të cilët e ndihmuan të zgjidhet. Ishte një fushatë e mirë. Rama pati një fushatë të keqe. Dhe Basha ishte shumë i mirë. Dhe ishte kaq afër me sa dimë. Por në vend që të përdori ekspertizën e jashtme për qëllime pozitive, për të promovuar Shqipërinë dhe gjërat që po bënte qeveria, të huajt po paguheshin për t’iu kundërvënë Ambasadës Amerikane. Menduan se Ambasada ishte duke punuar kundra tij, gjë e cila nuk ishte fare e vërtetë.”

Kjo është çështja! Kushdo që i kundërvihet Ambasadës Amerikane në Tiranë, i kundërvihet SHBA. Por ka ende që ata, që nuk duan ta pranojnë, por jo se nuk e kuptojnë këtë. Kushdo që i është kundërvënë SHBA-ve në Shqipëri, historia e këtyre 28 viteve, e ka treguar se çfarë u ka ndodhur më pas. Arvizu tha se të vetmit që nuk ka takuar ende pasi ka ikur nga Shqipëria, janë liderët e PD. Pas kësaj interviste, besoj se dikush që di të lexojë më mirë, do ta kuptojë se ku është problemi i opozitës dhe se çfarë duhet bërë, që ti vijë fundi këtij vazhdimi!

Arvizu ndoshta mund të mos e kishte bërë publikisht këtë deklaratë. Por mund tia kishte thënë atë Lulzim Bashës përballë, në sy. Por, siç duket e ka humbur shpresën se kjo mund të ndodhë më, pasi edhe vetë e pranoi: “I kam thënë shumë herë që kur të jetë në Uashington të më telefonojë, të shihemi, edhe pse e di që është shumë i zënë e ka shumë kanale. Nuk ka ndodhur kurrë, jo vetëm me të, por edhe me tjetrin…”
Shtuar më 28/11/2018, ora 22:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori