Artan Lame: Legalizimet e plota jo brenda këtij mandati
“Legalizimet nuk do të mbyllen dot brenda mandatit të parë të qeverisjes, por brenda këtij mandati, do të legalizojmë vetëm zonat informale rreth qyteteve”.

Kështu është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, gjatë një interviste dhënë për Turjan Hyskën, në emisionin Oktapod.

Lame ka theksuar se është e pamundur të legalizohen ndërtimet pa leje brenda qyteteve, për shkak se problematikat me to të lënë me gojë hapur dhe janë futur në kanale gjyqësore që mund të zgjasin edhe me vite.

Kreu i ALUIZNI-t është shprehur se tashmë shqiptarët janë të bindur se kjo qeveri do ta realizojë legalizimin.

“Më mirë që ajo që bëhet të jetë e saktë dhe të rrojë 100 vjet, sesa të nxitojmë për ta mbyllur shpejt dhe t’i kthehemi prapë pas njëfarë kohe”, ka vijuar Lame, duke rrëfyer se është ai vetë që “I ka bërë presion qeverisë” të ndjekë këtë logjikë.

Por Drejtori i ALUIZNI-t, sqaroi publikisht se nuk do të legalizohen të gjitha ndërtesat.

“Nuk mund të legalizojmë ndërtime në pjesën muzeale të Beratit, nuk mund të legalizojmë ndërtime në Butrint, në amfiteatrin e Durrësit, në Parkun e Dajtit, apo nuk legalizojmë në brigje apo prita lumenjsh.

Jemi të vetmit që aty ku nuk legalizuam ndërtesat, për shkak të ndërtimit të veprave publike, dhamë banesa sociale me qera për 2 vjet”, ka shpjeguar Lame.

Në intervistën e tij të parë pas ndërhyrjes kirurgjikale në kraharor, Artan Lame rrëfeu se e ka përjetuar si sprovë të Zotit, gjithë atë që i ndodhi.

“Zotit nuk i trokitet në derë vetëm kur ke hall. Ky është një mësim për të gjithë ata që besojnë në Zot, siç besoj edhe unë. Besimi ka edhe disa parime morale. Kur isha koshient, para ndërhyrjes, nuk e mendova kurrë se po ikja nga kjo jetë”, është shprehur Lame.

Në vijim Lame tha se edhe dhimbjet e forta të ndërhyrjes, i ka përballuar me minimumin e qetësuesve. “Dhimbja të bën të reflektosh, të ndahesh nga gjërat false të së përditshmes. Kur isha në reanimacion, shihja sherret e politikës, e mendoja sa qesharake e të parëndësishme që ishin. Por të gjitha këto, i sheh vetëm kur del nga realiteti”, shprehet Drejtori i ALUIZNI-t.

Përsa i përket projektit të stadiumit kombëtar, Lame thotë se fasada duhet ruajtur me çdo kusht, duke mos dashur të flasë më shumë për këtë çështje, për të mos “u përplasur” me të tjerë e për të mos krijuar keqkuptime. /albeu.com/

Shtuar më 04/06/2016, ora 14:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori