Akuzohen për trafik droge, gjykata lë në burg 8 shqiptarët në Spanjë

Tetë shqiptarë kanë rënë në prangat e Gardës Civile spanjolle pasi akuzohen për trafik droge. Ata dolën ditën e sotme para Gjykatës në Alcañiz, ku është vendosur masa e sigurisë burg pa kusht ndaj tyre.

Ata i përkasin një bande kriminale që kultivonte 11.500 bimë marihuanë të përhapura në plantacione në Castellote dhe Beceite. Plantacioni më i madh në qytetin e Maestrazgo, me gjithsej 10,000 bimë të vendosura në pika të ndryshme të komunës, nga ana tjetër, në Beceite u gjetën edhe 1500 bimë të tjera.

Shqiptarët u ndaluan dy ditë më parë dhe janë pjesë e një bande me 12 anëtarë, me 4 prej tyre që i shpëtuan ndjekjes nga policia dhe vunë në alarm 5 bashki të zonës, pasi autoritetet transmetuan mesazhin se “janë të rrezikshëm”.

Policia spanjolle zbuloi lidhjen midis dy plantacioneve nga trafiku i vazhdueshëm i automjeteve që udhëtonin në mënyrë të dyshimtë midis Castellote dhe Beceite. Garda Civile kreu dy aksione, një në çdo lokalitet, duke arritur të arrestojë 7 persona në Castellote dhe një tjetër në Beceite .

8 të arrestuarit janë burra të kombësisë shqiptare, të moshës nga 30 deri në 50 vjeç, pa precedentë penalë, të cilët jetonin në të njëjtat plantacione në kushte shumë të mjerueshme.