Rusia dërgon mijëra trupa të tjera në kufirin me Ukrainën, zbardhet skenari: Pse Putin mund të zgjasë krizën për disa javë

Rusia po dërgon trupa të tjerë në kufirin me Ukrainën, kjo si shenjë që Presidenti Vladimir Putin mund të zgjasë krizën edhe për disa javë të tjera, raporton The Guardian, duke shkruar se kjo vjen pasi Boris Johnson paralajmëroi se situata ishte bërë “shumë, shumë e rrezikshme”.

Zyrtarët britanikë vlerësojnë se 14 batalione të tjera ruse po shkojnë drejt Ukrainës , secili që numëron rreth 800 trupa, në krye të 100 batalioneve të grumbulluara në kufij – një forcë që tashmë besohet se është e aftë për të nisur një pushtim.

Ministrat janë të mendimit se presidenti rus nuk ka vendosur ende të sulmojë Ukrainën dhe mund të mos e bëjë kurrë këtë. Por rritja e vazhdueshme e forcave me mbi 150,000 trupa e shtyu Boris Johnson të ndërpresë një udhëtim në Cumbria për të kryesuar një takim urgjent të Cobra të martën.

Të hënën mbrëma, kryeministri foli me Joe Biden dhe arriti në përfundimin, sipas Doëning Street, se “mbetej një dritare vendimtare për diplomacinë dhe për Rusinë që të tërhiqej nga kërcënimet e saj ndaj Ukrainës”.

Britania tha se të dy theksuan rëndësinë e unitetit dhe, ndërkohë që as Britania e Madhe dhe as SHBA nuk do të dërgojnë trupa për të mbrojtur Ukrainën, ata këmbëngulën se çdo inkursion i mëtejshëm rus “do të rezultonte në një krizë të zgjatur për Rusinë”.

Më parë, Johnson tha: “Kjo është një situatë shumë, shumë e rrezikshme, e vështirë. Jemi në buzë të një gremine, por ka ende kohë që presidenti Putin të tërhiqet”.

Ai u shpreh se eshte e rëndësishme që aleatët perëndimorë të mbeten të bashkuar përballë presionit rus.


Shtuar 14.02.2022 23:33