Shkrimtari nacionalist rus plagoset në një sulm me bombë në makinë, vdes shoferi

Shkrimtari rus, Zakhar Prilepin, është plagosur si pasojë e një sulmi me makinë -bombë të shtunën, për të cilin Rusia ka fajësuar menjëherë Ukrainën dhe Perëndimin.

Agjencia e lajmeve TASS, e ka cituar Ministrinë e Brendshme ruse të ketë thënë se një person është vrarë në shpërthimin që ka ndodhur në rajonin Nizhny Novgorod, rreth 400 kilometra në lindje të Moskës.

Një zëdhënës i ministrisë ka thënë se i dyshuari është arrestuar, shkruan Reuters.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë në Telegram se “faktet janë të vërteta: Uashingtoni dhe NATO-ja e kanë ushqyer një tjetër qelizë terroriste ndërkombëtare – regjimin e Kievit”.

Ajo ka thënë se sulmi është “përgjegjësi direkte e SHBA-së dhe Britanisë”, mirëpo nuk ekzistojnë dëshmi për të mbështetur akuzat.

“Ne lutemi për Zakharin”, ka thënë ajo./Albeu.com.


Shtuar 6.05.2023 14:48