Biznesmeni që u vra në Prishtinë, është Albert Krasniqi (VIDEO)
Arritja e pavarësisë për Kosovën kërkon edhe pak kohë, thote Uisner
Albeu.com
“Kosova do të jetë e pavarur, por në këtë fazë nuk mund të flitet rreth afateve për realizimin e këtij synimi” tha sot në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, Frank Uizner. Ai kërkoi nga kosovarët që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe partneritetin me faktorët ndërkombëtarë, në funksion të arritjes së pavarësisë. Uizner ka pasur takime me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Agim Çeku dhe një takim të përbashkët me ekipin e unitetit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të shtyjnë përpara procesin për pavarësimin e shpejtë të Kosovës. Mirëpo, Uashingtoni, siç tha ambasadori Frank Uizner, nuk mund të jap një datë të caktuar.

“Ajo që në po përpiqemi të arrijmë është qëllimi i caktuar : pavarësi e njohur ndërkombëtarisht për Kosovën” tha Uizner.

Ai nuk deshi të përdorë fjalën “shtyrje”, por tha se në Nju Jork po shqyrtohen propozime të ndryshme, përfshirë edhe atë të presidentit francez Nikolas Sarkozi.

Uizner nuk përjashtoi mundësinë e vazhdimit të diskutimeve në nivele të ndryshme.

“Nuk ka ende konkluzione, por nëse do të duhet të ketë diskutime të tjera në kufizuara në kohë, kjo do të bëhej për të provuar se të gjitha mundësitë janë shterur për të arritur marrëveshje për statusin”, tha Uizner.

Presidenti Fatmir Sejdiu shprehi besimin e plotë në angazhimin e faktorëve perëndimor për pavarësinë e Kosovës. Por ai tha se Kosova nuk “duhet të mbetet peng i tekeve të ndokujt”

“Për ne është shumë me rëndësi që jemi në një proces që ende nuk ka përfunduar, në një proces në të cilin është e inkuadruar bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe BE, dhe ne besojmë në përpjekjet e tyre për ta përfunduar suksesshëm dhe sa më shpejtë. Nuk kam thënë më parë e nuk mund të them as sot një datë të saktë, sepse do të jetë një rrezik i veçantë të premtimeve dhe ballafaqimeve të mia me qytetarët e Kosovës”, tha Sejdiu.

I dërguari amerikan siguroi qytetarët se rezultati përfundimtar ashtu siç edhe ka thënë presidenti Xhorxh Bush, do të jetë pavarësia. Ndërkohë, ai kërkoi që liderët dhe populli të kryejnë obligime të brendshme, siç janë përgatitjet për Kushtetutën, simbolet shtetërore, ligji për zgjedhjet.

“Është shumë e rëndësishme që të ruhet qetësia dhe disiplina që e kanë karakterizuar Kosovën dhe udhëheqësit e saj gjatë muajve të fundit. Ne mbështetemi tek ata që të ruajnë unitetin në përpjekjet e tyre dhe të punojnë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, përderisa Kosova lëviz drejtë pavarësisë” tha Uizner.

Ambasadori amerikan vizitoi Kosovën disa ditë pas samitit të G 8 dhe turneut evropian të presidentit Bush, ku Kosova ishte ndër temat kryesore.
Shtuar më 15/06/2007, ora 16:26
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori