Arrihet marreveshja Kosove-FMN, merren hua 110 milione euro
Albeu.com
Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), për marrjen e një huaje prej 110 milionë eurosh, me kushte shumë të favorshme. Kryeministri Hashim Thaçi tha se me këtë marrëveshje, Kosova do të ketë një rritje ekonomike prej 6 për qind në vit.“Është arritur marrëveshja, në parim, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Së bashku me FMN-në është bërë planifikimi i duhur ekonomik që i garanton Republikës së Kosovës rritje ekonomike rreth 6 për qind në vit”, tha kryeministri Thaçi, në një paraqitje para gazetarëve, së bashku me përfaqësuesit e FMN-së.

Kreu i Qeverisë tha se ky zhvillim ekonomik po ndodh në kohën kur bota po përballet me një krizë të ndjeshme ekonomike. “Programi i FMN-së për Kosovën nënkupton hua 110 milionë me kushte shumë të favorshme. Plani për zhvillimin ekonomik i hartuar së bashku me FMN-në, gjithashtu hap rrugë edhe përfshin donacionet e premtuara edhe nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore gjatë 3 viteve”, shtoi Thaçi.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka shtuar se marrëveshja e sotme është me rëndësi në procesin e filluar në qershor të vitit 2009 me anëtarësimin e Kosovës në FMN.

Sipas tij, sukseset e Qeverisë së Kosovës deri më tani janë të qarta në këtë drejtim, sepse siç ka thënë ai në kohën kur kriza ekonomike globale ka ndaluar rritjen ekonomike në shtete të zhvilluara, Republika e Kosovës ishte e vetmja në rajon me rritje pozitive me 4.4 për qind.

Programi me FMN-në është një periudhë kohore 1 vit e gjysmë, me ç’rast Kosova do të përfitojë shumën prej 110 milionë euro. Për më tepër, kryeministri ka theksuar se në pjesë të programit të FMN-së kanë hyrë edhe Ligji i Punës, Ligji për Veteranët e Luftës, Ligji për Sigurimin Pensional dhe shumë aspekte të tjera.

Jurgen Odenius, i cili i prin delegacionit të FMN-së gjatë vizitës në Kosovë, ka thënë se performanca ekonomike është fuqizuar shumë gjatë 10-vjeçarit të fundit, ndërsa institucionet e Kosovës po ndërmarrin veprime për të përmirësuar buxhetin, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri fiskale.

“Përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar infrastrukturën publike dhe po ashtu për ndihmuar në lëvizjen e mirëqenies sociale e kanë sfiduar financat publike, sidomos projekti për autostradën. Tash autoritetet e Kosovës po ndërmarrin veprime për ta përmirësuar buxhetimin publik, për të pasur qëndrueshmëri fiskale. Këto janë marrë përmes masave për të ndihmuar ekonominë si privatizimin e PTK-së dhe ndihmën në fuqizimin e sektorit të energjisë. Dakordimet me misionin synojnë uljen e huas për vitin e ardhshëm”, ka thënë Odenius, transmeton KosovaPress.
Shtuar më 27/05/2010, ora 15:53
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori