Arrestohet tepelenasi me 28 kg drogë, do e transportonte drejt Greqisë
28 kg drogë me destinacion Greqinë është kapur sot, ndërsa në pranga është vënë poseduesi. Në pranga ka rënë drejtuesi i mjetit, Dashnor Hamza, 43 vjeç, banues në fshatin Xhafaj, Tepelenë.

Lënda narkotike është bllokuar sot në pikën kufitare të Kakavijës, e destinuar për në Greqi. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në dalje të Shqipërisë, është paraqitur Dashnor Hamza, me mjetin tip “Lancia Phedra”, me targa AA 458 MA.

Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e policisë kufitare, mjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në një vend të sajuar në shasinë e automjetit, ishin disa pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.

Menjëherë është bërë bllokimi i mjetit, dhe është njoftuar grupi hetimor si dhe specialistët kundër lëndëve narkotike në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në shasinë e mjetit u gjetën 28 pako me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë totale 28 kg.

Sa i takon këtij rasti, materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. /albeu.com/


Shtuar më 01/12/2016, ora 17:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori