Arrestohet polici rrugor në Lezhë, mori 50 euro shtetasit kosovar
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ylli Ulaj, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi tij u bë gjatë orarit kur ai ishte në shërbim në autostradën Milot – Lezhë, ku dyshohet se i ka marrë në formë rryshfeti 50 euro një shtetasi nga Kosova, me iniciale S.D.

Ky i fundit po udhëtonte me automjetin e tij kur u ndalua për tejkalim të normave të shpejtësisë. Shtetasi nga Kosova ka kundërshtuar faktin se ishte në shkelje të rregullave të qarkullimit, por ka paguar sasinë e lekëve të kërkuar nga efektivi i Qarkullimit, Ylli Ulaj.

Punonjësi i policisë ka marrë 50 eurot dhe nuk ka proceduar administrativisht shtetasin kosovar, për shkeljen e konstatuar, ndërkohë më pas shtetasi S.D. ka bërë më pas denoncim në numrin falas 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2015, ora 08:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori