Arrestohet polici i cili përndiqte dhe dhunonte ish-të dashurën
Me kërkesë të Prokurorisë së Krujës, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Lumian Meta, me detyrë oficer i patrullës policore të Komisariatit nr.1 në Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Përndjekjes” në dëm të ish-të dashurës së tij, shtetases S.B, gjithashtu efektive policie në Komisariatin e Krujës.

Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.

Prokuroria e Krujës e ka nisur hetimin në bazë të materialit referues të Shërbimit për Çështje të Brendshme në dt. 14.06.2016. Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën. Për këtë arsye, ai e ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i dyshuari dhe e dëmtuara kanë nisur lidhje dashurore në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë.

Kjo lidhje ka vijuar deri në janar 2016. Në këtë kohë, e dëmtuara S.B., ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike.

Prej janarit 2016 e në vijim, i dyshuari e ka përndjekur, dhunuar dhe kërcënuar në mënyrë sistematike, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte. E dëmtuara nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish-i dashuri.

Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj të dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë.

Në këto kushte, Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Lumian Meta ka konsumuar elementët e veprës penale “Përndjekja”.

Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë së Krujës, u kërkua caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata e Krujës dhe ai u arrestua mesditën e së mërkurës. /albeu.com/
Shtuar më 15/06/2016, ora 16:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori