“Alo mami! Po na ndjekin”, Diklen Vata parandjeu se do ta vrisnin. Birra e fundit dhe “misteri” i makinës

Detaje te reja bëhen me dije në lidhje me atentatin e Fushë-Krujës me 3 viktima.

Sipas dëshmisë së familjarëve të Diklen Vatës, tre të rinjtë kishin pikasur se po ndiqeshin nga persona të panjohur. Vata, referuar dëshmisë, kishte marrë në telefon nënën dhe motrën duke i shprehur këtë shqetësim: “Po na ndjekin”.

Po ashtu, në saje të kamerave të sigurisë, por edhe dëshmisë të shokut të viktimave është zbuluar itinerari i fundit që kanë përshkruar para atentatit.

Gjatë paradites ata kanë qenë në një lokal në Rinas, ndërsa në mesditë ishin në një restorant të njohur afër mbikalimit të Fushë-Krujës. Aty kanë parkuar makinën “Volkswagen Passat” dhe një shoku i tyre me makinë dhe i dërgoi deri në Kamëz tek një servis ku kishin lënë një tjetër makinë për riparim.

Duke qenë se makina nuk ishte gati ata janë kthyer po me mjetin e mikut të tyre, deri tek restoranti ku kishin “Passatin”. Disa minuta më pas dolën prej aty dhe morën drejtimin për tek mbikalimi i Fushë-Krujës. Në këtë të fundit ata u ndeshën me breshërinë e plumbave.

Nga ana tjetër, edhe automjeti që u gjet i djegur 12 orë pas ngjarjes në fshatin Ahmetaq i ka kaluar për verifikimet e policisë së Fushë-Krujes, nëse është alibi për të shpërqendruar hetimet. Por ka dyshime se mjeti ka qenë i autorëve, të cilët pasi dogjën dhe këtë automjet, janë larguar nga zona me tjetër mjet.

Pista kryesore vijon të jetë përplasja mes grupeve kriminale ndërsa personat e dyshuar dhe që mund të kenë dijeni për ngjarjen nga Fushë-Kruja dhe Nikla prej gati një jave rezultojnë të jenë larguar nga vendi në mënyre të rregullt. Kjo është vërtetuar nga sistemi TIMS./abcnews.al