Arrestohet dhe transferohet në Hagë Baton Haxhiu
Albeu.com
Me urdhër të Tribunalit së Hagës, është prangosur të martën pasdite dhe transferuar në Hagë, gazetari Baton Haxhiu. Këtë e ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate shtypi Shërbimi Policor i Kosovës.Në këtë komunikatë thuhet se urdhri është ekzekutuar të martën në orën 14:00 nga policia. Haxhiu ka udhëtuar për në Hagë me aeroplanin e vijës së rregullt.

Ndërsa Tribunali ka bërë të ditur se ka ngritur aktpadi kundër gazetarit kosovar Baton Haxhiu, për pengim të punës së gjykatës.

Haxhiu, 42-vjeçar, akuzohet se më 2007 kishte marrë informacione për një dëshmitar të mbrojtur në procesin kundër ish-kryeministrit Haradinaj dhe e kishte zbuluar identitetin e tij në një shkrim. Ai do të paraqitet sot në një seancë dëgjimore.

“Baton Haxhiu me dijeni të plotë ka ndërhyrë në punën e drejtësisë, duke bërë publike informacione që nuk duhej dhe që ishte në kundërshtim me urdhra të Odës së Gjykatës... Me këtë akt, Haxhiu ka bërë shkelje, duke e penguar punën e gjykatës, që është e dënueshme, sipas Nenit 77 A të Rregullores së Gjykatës...”, thuhet në aktakuzën, e publikuar në faqen zyrtare të internetit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Aktakuza është ngritur në prill, por është zbuluar vetëm të martën pas arrestimit të Haxhiut.

Haxhiu është kosovari i tretë që akuzohet për mospërfillje të Gjykatës së Hagës. Më 25 prill, ish-ministri Astrit Haraqija dhe këshilltari i tij, Bajrush Morina, janë akuzuar se janë munduar ta bindnin një dëshmitar të mbrojtur për të mos dëshmuar në rastin Haradinaj.

Gjykata tashmë ka vendosur që gjykimi kundër Haraqisë dhe Morinës të nisë më 16 qershor, ndërsa ka lejuar që ata të mbrohen në liri. (ktv)
Shtuar më 21/05/2008, ora 17:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori