Noterja falsifikon testamentin e zonjës së verbër: Shko ndiqe, më denonco

Arta Çika denoncoi në “Stop” procedurën e hapjes së testamentit nga noterja Majlinda Lleshi në Borsh. Për të njëjtën notere një javë më parë pati një denoncim tjetër në emisionin “Stop” se si ajo pretendohej të ketë falsifikuar 2 akte noteriale.

Për rastin që po trajtohet sot bëhet fjalë për një testament që është bërë në vitin 2013.

“Në vitin 2011 vjehrra ime, Sofia Çika më ka lënë një testament. Pas vdekjes së vjehrrës, kur vajta në Sarandë për të çelur testamentin më doli që zonja Sofia, vjehrra ime kishte lënë një testament në Tiranë. Nga Borshi në Tiranë, jam çuditur. Lexoj emrin e noteres, Majlinda Lleshi. Thashë ç’ne vjehrra ime çdo ditë me mua dhe nga Borshi të lërë një testament në Tiranë se ne kishim noterë plot në Sarandë. Për këtë i jam drejtuar emisionit “Stop””.

Në testament rezultojnë një seri problemesh. Firma e të moshuarës, që ka ndërruar jetë, rezulton e falsifikuar.

“Vjehrra ime nuk kishte udhëtuar asnjëherë në Tiranë se qe në moshë madhore 83 vjeçe dhe zonja Majlinda nuk ka ardhur asnjëherë në shtëpinë time, plus që firma e testamentit, me firmën që ka lënë tek noterja Majlinda Lleshi nuk ngjason fare. Vjehrra ime bashkëjetonte me ne, me djalin e vgoël, që ishte burri im dhe i la pasurinë e saj të gjithën. Ua kishte bërë të ditur edhe në prezencë të të tjerëve, nuk e mbante të fshehtë. Vjehrra ime ka 6 fëmijë. Pasurinë që unë kam do t’ia lë djalit të vogël dhe asnjëri nga ju nuk ka punë të ngatërrohet me djalin, në prezencën tonë”.

Majlinda Lleshi rezulton notere te firma e burrit të kunatës së zonjës Arta Çika, “Hodaj SHPK”.

“Në 2013-ën, ia ka lënë vajzës që ka në Spanjë. Vajza që ka në Spanjë, e ka bërë të falsifikuar këtë testament. Është firma Hodaj SHPK dhe ka pasur noteren e firmës. Kunata ime që është në Spanjë është zonja e firmës “Ilir Hodaj SHPK”. Kunati i burrit tim është firma “Hodaj SHPK” me biznese këtu në Tiranë, por banuese në Spanjë. Ka ikur që në vitet ’98-’99 në mos gaboj. Ky e mban noteren për punët e firmës. Të gjitha punët me këtë notere i bënte. Ky testament është 100% i falsifikuar, vetëm ka ngelur në rrugë ligjore për ta thënë këtë. Shpresoj tek “Stopi” se shpresat e tjera kanë vdekur për mua. Kur pashë Majlinda Lleshin para ca ditësh atëherë mora guximin, hoqa atë frikën edhe ta denoncoj publikisht se këta mbase nuk kanë frikë nga drejtësia ligjore, por duhet të kenë drejtësinë hyjnore frikë se prandaj më ka sjellë këtu sot”, tha Çika.

Parregullsia numër 1 është një detaj që ka të bëjë me udhëtimin e noteres drejt Borshit aty ku pretendon se është shkruar testamenti. Sipas saj, ajo e ka kryer udhëtimin nga Tirana deri në Borsh për 3 orë e gjysmë, por në Google Maps, minimalisht duhen 4 orë e 50 minuta.

Po ashtu nuk ka patur një dëshmitar, kur është bërë testamenti, pasi e ndjera trajtohej me kemp si e verbër. Parregullsitë i konstaton edhe nënkryetari i Dhomës së Noterëve Fatmir Laçej.

“Nëse kemi të bëjmë me persona të verbër, persona që nuk dëgjojnë, persona që nuk flasin, atëherë detyrimisht një ekspert i fushës, të paktën kështu e ka pasur ligji i vjetër, ndërsa ligji i ri për noterinë i 2018 përcakton thjesht dhe vetëm një dëshmitar.

Është një element detyrues në aktin noterial të testamentit që noteri duhet të përshkruajë të gjithë gjendjen e personit për paaftësinë e tij”, tha ai.

Sipas noterit nëse nuk është një ekspert i tillë, kemi të bëjmë me një testament të pavlefshëm. Qytetarja Arta Çika shkon në zyrën e noteres për ballafaqim dhe noterja pranon shkeljen, por i thotë zonjës, se ia ka bërë kunata.

Denoncuesja: Unë s’të kam parë ty se s’të njoh, kam qenë një familje me vjehrrën, ka qenë në shtëpinë time, ti thua kam ardhur në Korçë

Notere Majlinda Lleshi: Po kam qenë në Korçë.

Denoncuesja: Po thuaje adresën, më pe mua ti tek familja e asaj?

Notere Majlinda Lleshi: Ti e ke vjehrrë zonjën?

Denoncuesja: Po e kisha, se nuk është më.

Notere Majlinda Lleshi: Të vijë bashkëshorti jot.

Denoncuesja: Kam prokurë unë, jam e thirrur, jam ndërgjyqse e atij.

Notere Majlinda Lleshi: Ma ka kërkuar zonja.

Denoncuesja: Si të ka kërkuar, dinte 83 vjeçe të të merrte në telefon ty? S’dinte se ishte me KEMP ajo, e di që ishte me KEMP, familja e saj isha unë. Si përfundim ti nuk ke ardhur në muajin Dhjetor, se unë e di shumë mirë, ka ardhur zonja Mimoza, e kam takuar në rrugë, ty të ka ardhur karta identitetit këtu zonjë.

Notere Majlinda Lleshi: Unë kam bërë veprim pa qenë personi prezent, seriozisht e ke?

Denoncuesja: Po, vjehrra ime dinte shkrim e këndim.

Notere Majlinda Lleshi: Dil jashtë! Vazhdo se nuk e ke me mua problemin, e ke me të tjerë.

Denoncuesja: Po ti ma ke bërë mua problemin, pse se bëri që fillim në Sarandë ajo, pse pak noter kishte atje?

Notere Majlinda Lleshi: Po le ta bënte moj.

Denoncuesja: Po pse se bëri, po erdhi te ty?

Notere Majlinda Lleshi: Unë jam noterja e Hodajve jetë e mot.

Denoncuesja: E di, po unë të di shumë mirë ty, se kush je, e çfarë bën ti, me Ilir Hodaj, se ka qenë Ilir Hodaj në tavolinën time, ka hëngër e ka pirë, bashkë me kunatën time, i di dhe muhabetet e tyre, unë i di shumë mirë dhe ato që më tha ai: Unë e bëj testamentin false atje tha, kur të dua.

Notere Majlinda Lleshi: Jo, jo, harroje, të lutem.

Denoncuesja: Po unë e di shumë mirë, se kartën e identitetit ti zonjë, më ka ardhë në shtëpi pas katër muajve nga kunati tjetër këtu në Tiranë. Karta e identitetit, pse kishte ardhur pikërisht në atë kohë në Tiranë? Unë do ta nxjerr me provë dhe me fakte.

Notere Majlinda Lleshi: Nëse ti ke probleme me njerëzit e tu, zgjidhe me njerëzit e tu.

Denoncuesja: Pse noterja në Sarandë e ka marrë më firmë e me shkrim edhe me vulë origjinale testamentin?

Notere Majlinda Lleshi: Po, po.

Denoncuesja: Po ti ku e ke?

Notere Majlinda Lleshi: Ja!

Denoncuesja: Pse s’është e njëjta? Pse s’është e njëjta?

Notere Majlinda Lleshi: E njëjta, me shkrim e ke.

Denoncuesja: I njëjtë të duket ty?

Notere Majlinda Lleshi: Po, çoje te eksperti.

Denoncuesja: Pse i ke vënë gishtin?

Notere Majlinda Lleshi: Është gishti zonjës.

Denoncuesja: Pse, ajo e dinte që të vente firmën, pse e ke vënë?

Notere Majlinda Lleshi: Për sigurinë time, për sigurinë time.

Denoncuesja: Po firmën pse s’ja ke hedh?

Notere Majlinda Lleshi: Kush të tha që s’ja kam hedh firmën?

Denoncuesja: Po e kam bërë unë akt-ekspertizën për këtë dhe më ka dalë e falsifikuar, do ta nxjerr që ta shikosh?

Notere Majlinda Lleshi: Jo, jo, shko ndiqe, më denonco në prokurori, meqë qenke kaq shumë e sigurtë ti që paskam bërë unë falsifikim,

Denoncuesja: Jam 100%, se mua më ka ardhur karta nga tjetri.

Notere Majlinda Lleshi: Shko në Prokurori denoncoje zonjë.

Denoncuesja: Mua më ka ardhur karta, se e njeh ti, njeriun tjetër shumë të besuar që të pruri kartën ty.

Notere Majlinda Lleshi: Njoh Mimoza Hodaj dhe Ilir Hodaj.

Denoncuesja: Njeh Sandrin ti.

Notere Majlinda Lleshi: Të gjithë i njoh.

Denoncuesja: Shumë mirë, se Sandri ta ka prurë ty kartën këtu dhe Sandri e mori kartën nga këtu dhe e çoi te puna tjetër dhe më erdhi mua mbas 5 muajsh.

Notere Majlinda Lleshi: Zonjë e dashur, unë po të them dhe njëherë

Denoncuesja: Unë po të flas si njeri, pastaj do ndjek rrugë të tjera.

Notere Majlinda Lleshi: Nuk e ke me mua problemin, po të them dhe njëherë.

Denoncuesja: Unë se kam me ty, e kam me atë, po pikërisht ai e ka bërë këtu te ty këtë dhe unë për këtë që ke bërë ti vajta kaq vjet gjyqeve, kam që në 2015 deri më sot. E dije që ajo ishte me KEMP?

Notere Majlinda Lleshi: Shko dhe sqaroje ti pra, jo unë nuk e kam ditur që është, ti shko edhe sqaroje.Asajshko dhe kërkoji ti llogari, se ti e ke me atë problemin, se ke me mua.

Denoncuesja: Unë e kam me atë, po këtë e ke firmosur ti zonjë.

Notere Majlinda Lleshi: Të lutem shumë…

Denoncuesja: Mua më ke marrë në qafë ti, se po qe e bënte në Sarandë ajo, s’vinte te ty.

Notere Majlinda Lleshi: Në rregull.