“Nuk kam folur me zë, por me mesazhe”, Basha zbulon bisedën me Berishën pasi e përjashtoi nga grupi i PD

Kreu i PD-së Lulzim Basha është shprehur se me ish-kryeministrin Sali Berisha nuk kanë komunikuar që nga 9 shtatori, dita kur e përjashtoi këtë të fundit nga grupi parlamentar i PD-së.

Basha zbuloi se me Berishën ka komunikuar vetëm njëherë me mesazhe. Kjo ka qenë kur Berisha e ka ngushëlluar Bashën për humbjen e babait.

“Kam pasur komunikim me Berishën për herë të fundit në 9 shtator. Pas kësaj date kam pasur komunikim por jo me zë vetëm me mesazhe për çështje familjare.  Berisha i detyrohet një ndjesë demokratëve jo mua”, tha Basha.

Pjesë nga intervista:

A do të pranonit një negocim nga PPE për të zgjidhur krizën brenda PD-së?

PPE është partia jonë nënë, në të cilën bëjmë pjesë, është me norma dhe parime që pasqyrohen në statutin  tonë, e gjithë beteja është respektimi i këtyre normave. Nuk ka dy palë. Duhet të ketë një premisë. Nuk ka ndarje Basha-Berisha, nuk ka dy palë në PD. Ka një individ që ka një peshë të caktuar historike i cili për interesat e tij po i mbivendoset interesave të demokratëve.

Çfarë do të sakrifikonte Lulzim Basha për bashkimin e PD-së?

Atë që bëra prej momentit të parë, që nuk ju fsheha vendimit më të vështirë të jetës sime politike. Nuk e hodha tutje “topin” e përgjegjësisë se me një anëtar një votë demokratët janë kanë besuar kryetarit të partisë.

Do të uleshe me Berishën?

Nuk kam pasur dhe nuk kam asgjë me Berishën.

A do të kërkonit një takim?

Ta kërkoj unë? Për cfarë. PD nuk shpëtohet nga përçarja duke vendosur interesat personale mbi atë të demokratëve. Në momentin që e ndal këtë, nuk ka absolutisht asnjë pengesë, pasi falë investimit tim është akoma edhe në PD edhe në parlament.

Kur keni folur për herë të fundit me Berishën?

Në 9 shtator.

Asnjë komunikim më pas?

Jo me zë.

Në ç’kuptim?

Çështje private familjare të fatkeqësive familjare, kemi pasur shkëmbime mesazhesh. Ngushëllimesh. Që nuk kanë të bëjnë me situatën në PD.

E përjashtoni mundësinë që të komunikoni në ditët në vazhdim?

Unë komunikoj me këdo dhe cdo demokrat edhe me Sali Berishën nëse komunikimi ju vlen interesave të demokratëve. Nuk jam unë ai që përdor gjuhë linçimi dhe shpik kundërshtarë dhe rikthen kulturën e të linçuarit të mendimit ndryshe. Berisha i detyrohet një apologji demokratëve dhe personave në veçanti, jo mua por njerëzve të zgjedhur nga demokratët dhe për të tjerat pa diskutim kam qenë dhe mbetem njeriu më i hapur në PD./albeu.com

 


Shtuar 30.11.2021 20:08