Sërish letër Kurtit, Presidenti Thaçi: Propozoni emrin për kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka drejtuar sërish një letër zyrtare Lëvizjes Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet e 6 tetorit. Kreu i Shtetit kërkon nga Albin Kurti që sa më parë të dërgojë shkresën me emrin e të mandatuarit për kryeministër.

Ndërsa e fton kreun e Vetëvendosjes që të mbajë premtimin e dhënë gjatë takimit konsultues të ditëve më parë.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejt qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, shkruan Thaçi në letrën e tij.

Ndër të tjera, presidenti i kërkon Kurtit që ta njoftojë lidhur me pranimin ose refuzimin e mandatit, për t’i hapur rrugë hapave të përcaktuara nga Kushtetuta lidhur me dekretimin e kandidatit për kryeministër për formimin e qeverisë së re të Kosovës.


Shtuar 10.01.2020 17:50