Zjarr në një rafineri të naftës ruse afër kufirit me Ukrainën

Një zjarr ka shpërthyer në një rafineri të naftës në rajonin rus të Rostovit, afër kufirit me Ukrainën, tha Ministria e Emergjencave, sipas mediave shtetërore ruse.

“Në rajonin Rostov, në qytetin Novoshaktinsk, kemi pranuar një mesazh në orën 10:24, me kohën lokale të Moskës, lidhur me një zjarr në territorin e uzinës për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të naftës”, tha Ministria ruse e Emergjencave.

Zjarri ka shpërthyer në një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë dhe u shua një orë më vonë, tha agjencia e lajmeve Interfax.

Shkaku i shpërthimit të zjarrit ende mbetet i paqartë.

Novoshaktinsk gjendet rreth 9 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Edhe një rafineri tjetër në Novoshaktinsk qershorin e kaluar ishte sulmuar me dy dronë. Autoritetet e kishin cilësuar këtë “si veprim terrorist nga kufiri perëndimor”, referencë për përpjekjet ukrainase për të dëbuar forcat pushtuese ruse nga territori i tyre./rel/