Vula e Apelit, kriza brenda partisë dhe presidenti i ri, sot pritet mbledhje mes demokratëve

Partia Demokratike pritet që të organizojë një mbledhje të Grupit Parlamentar të PD-së për të diskutuar për dy çështje kryesore, atë të krizës së brendshme por edhe për emrin e ri të Presidentit.

Mbledhja e kësaj të marte pritet të sjellë debate të shumta në PD, kjo pasi gjykata e Apelit vendosi të pranojë kërkesën e Enklejed Alibeajt për ankimin e vendimit nga Gjykata e Tiranës, që njeh “Rithemelimin” si drejtues të PD-së.

Të paktën prej që nga dy mbledhjet e fundit Sali Berisha dhe Rithemelimi kanë atakuar Enkelejd Alibeajn, pasi sipas tyre nuk është përfaqësues i denjë për të qëndruar në krye të Grupit Parlamentar të PD-së.

Për ish-kryeministrin Sali Berisha pranimi i ankimimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj është marrë nën presion edhe të ambasadores amerikane, Juri Kim.

Për këtë arsye Berisha tha se do i drejtohet autoriteteve të SHBA-së për t’i informuar lidhur me aktivitetin e Yuri Kim.

“Nuk besoj se ka pasur një shkelje më të rëndë për vlerat mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e lira. Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, një parim i vendit të saj të Lirisë. Ky është një akt individual për të cilin ne në mënyrë absolute do të informojmë me hollësi autoritetet e SHBA-së” tha Berisha.

Sipas Sali Berishës vendimi për të pranuar ankimin është në shkelje të ligjit pasi Alibeaj nuk është pale në këtë proces.

“Një gjykatëse vendosur dje të shkruajë ligjin e shtetit, në një akt që tejkalon jashtë çdo imagjinate. Nën një presion të tmerrshëm, ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e minimumit të karakterit nuk ja lejon vetes. Kjo është e qartë si drita e diellit” shtoi ish-kryeministri.

Pavarësisht se e drejta për të drejtuar PD-në është në proces gjyqësor, Komisioni i Rithemelimit vijon të zhvillojë zgjedhjet në degët e PD-së. Sali Berisha së bashku me bashkëshorten e tij, votoi këtë të shtunë në selinë blu, për kryetarin e degës 2 të Tiranës.

Ndërkohë janë duke u zhvilluar zgjedhje edhe në 13 degë të tjera të vendit.