Arrestimi i Gecit (s)ka lidhje me "Shtepine e verdhe" te Kukesit
Albeu.com
Zëvendësprokurori serb për krime të luftës, Bruno Vekariq, ka deklaruar për Televizionin shtetëror të Serbisë, se arrestimi i Sabit Gecit, i dyshuar për krime të luftës në Shqipëri e Kosovë në vitin 1999, “paraqet rezultat të bashkëpunimit të mirë me EULEX-in”.
“Policia e EULEX-it, me urdhrin e Prokurorit special, ka arrestuar njeriun e dyshuar për krime të luftës që ai i ka bërë nga muaji prill e deri në muajin qershor të vitit 1999”, thuhet në komunikatën e misionit të BE-së për sundimin e ligjit.
Geci, i njohur edhe me pseudonimin “Big bos”, është një prej pjesëtarëve më me ndikim të ish shërbimit sekret të UÇK-së - SHIK-ut, për rolin e të cilit në një sërë vrasjesh politike është duke u udhëhequr hetim vëllimor, shkruan agjencia serbe FoNet.

Si kanë deklaruar për portalin e RTS-së zyrtarë të policisë së EULEX-it, “Geci është arrestuar pas hetimit për llogoret në Shqipëri, në të cilët, gjatë luftës në Kosovë, janë mbajtur, torturuar dhe vrarë serbë e joshqiptarë të tjerë, por edhe shqiptarë, të cilët pjesëtarët e ish UÇK-së i kishin shpallur tradhtarë”.

Hetimi i policisë së EULEX-it lidhur me këto pohime ka filluar vitin e shkuar, pas publikimit të memoareve të ish kryeprokurores së Gjyqit të Hagës, Carla del Ponte, me akuza në llogari të pjesëtarëve të UÇK-së për rrëmbime, torturime dhe në fund edhe për shitje të organeve të rreth 300 të burgosurve, kryesisht serbë.

Sabit Geci është arrestuar në tetor të vitit 2000 nga UNMIK-u për arsye të reketit dhe kërcënimeve, kurse një vit më vonë qe dënuar me pesë vjet burgim.
Shtuar më 06/05/2010, ora 22:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori