Apeli lë në "arrest shtëpie" Elvis Rroshin
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, i cili kërkoi heqjen e masës së sigurisë të dhënë nga Gjykata e Tiranës, atë të ‘arrestit shtëpiak” dhe rikthimin në detyrë.

Në seancën me dyer të mbyllura dhe pa praninë e të akuzuarit Rroshi, gjykata ndryshoi vendimin e “arrestit me burg” që kishte dhënë pak ditë më parë, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Në argumentet e reja që u sollën në gjykatë dhe që ndikuan këtë të fundit për të ndryshuar masën e sigurisë ishte fakti që Rroshi ka dy fëmije të mitur, ka të atin me hemodializë dhe se është i vetmi në familjen e tij që punon.

Ndërsa pretendimet e tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me akuzën e falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit janë tejkaluar tashmë nga gjykata, e cila ishte shprehur më parë për masën e sigurisë.

Sipas prokurorisë, Rroshi ka fshehur dënimet në Zvicër dhe Itali, akuza të cilat kreu i bashkisë Kavajë i hodhi poshtë duke i cilësuar sulm politik. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata fillimisht caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të “Dekriminalizimit”.

Nga hetimet e deritanishme, ndër të tjera, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës Por ai nuk i ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të dekriminalizimit.
Emrat që Roshi përdorte ishin: RROSHI Ervin, RROSHI Elvis, HALLULLI Baskim, RROSHI Enver, PROSHI Enver. /albeu.com/
Shtuar më 04/07/2016, ora 13:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori