Tensionet në Ukrainë, Meta thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Zhvillimet e fundit në Ukrainë kanë marrë vëmendjen e të gjithë botës. Nga momenti në moment Ukraina pritet të pushtohet nga Rusia, ndërsa kjo e fundit dhe pse ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në kufi,  e mohon ndërhyrjen.

Presidenti Ilir Meta, nisur nga situata e krijuar atje, ka thirrur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, që pritet të mblidhet në orën 16:00. Në mbledhje do të mungojë kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në një vizitë zyrtare, 4 ditore, në SHBA.

Kujtojmë se më herët, përmes një postimi në Facebook, Ministria e Jashtme në Shqipëri i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ulë tensionet në Ukrainë dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes rrugëve diplomatike.

Gjithashtu dy ditë më parë, pas shkak të tensioneve, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i bëri thirrje shtetasve shqiptarë të largoheshin nga Ukraina./albeu.com