Arratisja që alarmoi Shqipërinë, si "thyen" burgun Gëzim Toma dhe grupi i Admir Tafilit
Gëzim Toma ka tentuar sërish që të fitojë lirinë, ndërkohë që e kishte gëzuar atë disa kohë kur doli me gjashtë të tjerë nga burgu i Drenovës.

Ngjarja e rëndë ndodhi natën e 23 nëntorit të vitit 2013 kur Toma, Admir Tafili dhe pesë të tjerë u larguan nga burgu i Drenovës duke alarmuar policinë e vendit.

Tentativa e fundit e Tomës ka dështuar pasi u pikas nga një gardian i burgut të Peqinit.

Arratisja nga burgu i Drenovës

Rreth orës 19.00 të 23 nëntorit 2013, mësohet se personat e armatosur me katër armë kanë mundur të hyjnë në mes të rreshtit të parë të rojeve të burgut.

Fakti që kjo kategori gardianësh qëndrojnë të paarmatosur janë frikësuar nga armët në duart e të dënuarve dhe janë detyruar të t’iu hapin rrugën.

Të armatosurit, pasi kanë kaluar gardhin e parë kanë trokitur në magazinën e armatimit të gardianëve dhe kanë detyruar magazinierin të ju vërë në dispozicion armët që iu duheshin.

Sipas të dhënave kanë marrë çfarë kanë dashur dhe kanë kaluar një pas një rojet, duke bërë të mundur daljen në oborrin e burgut.

Kullat e vrojtimit, të cilat ruhen me roje, sipas të dhënave, nuk kanë reaguar dhe madje as nuk kanë dhënë asnjë lloj sinjali.

Për pasojë të dënuarit e armatosur kanë dalë të qetë nga rrethimi i burgut të sigurisë së lartë.

Sipas të dhënave të hetimit, personat që kanë qenë edhe si roje kullash janë edhe dilema më e madhe e kësaj arratisjeje ndërsa ende nuk është zbuluar fakti se përse nuk kanë reaguar ndaj 7 të të dënuarve që po linin ambientet e burgut dhe po largoheshin.

Mësohet se pasi kanë dalë nga rrethimi, të dënuarit janë ndarë në tre pjesë.

Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri janë larguar bashkë me një automjet, ndërsa Haxhiraj, Toma dhe Lula janë larguar bashkë, këta të fundit ende të pa arrestuar.

Dyshohet se Altin Lami ka paraprirë thuajse të gjithë lëvizjen e grupit të Tafilit pasi dyshohet se ka mundur që në afërsi të komisariatit të Korçës të realizojë një shpërthim për të bërë të mundur zhvendosjen e vëmendjes.

Më pas Lami ka vijuar rrugëtimin në drejtim të Tiranës, për tu vënë në pranga orëve të mesnatës, pasi për të janë marrë një sërë informacionesh.

Dënimi për vrasjen e komshiut

Gëzim Toma është dënuar për vrasjen e Fatos Daxhës, 25 vjeç, në Krastë të Martaneshit. Sipas të dhënave, Toma ka akuzuar fqinjin e tij, Daxha, se i kishte vjedhur drutë e zjarrit që ai kishte sistemuar në oborrin e pallatit.

25-vjeçari Daxha nuk e ka pranuar akuzën dhe i është lutur disa herë fqinjit ta linte të qetë në hallin e tij. Megjithëse reagimi i Daxhës ka qenë mjaft i butë, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë parë momentet e tmerrit.

Gëzim Toma ka lënë sheshin para pallatit dhe është ngjitur në shtëpinë e tij, duke dalë prej andej me një thikë të madhe në dorë. Personat që kanë parë ngjarjen nuk kanë guxuar të ndërhyjnë për të ndalur krimin, pasi sipas tyre Toma ishte shumë i xhindosur dhe i është vërsulur komshiut, duke e goditur me thikë disa herë në trup.

Toma kishte pak kohë që ishte transferuar në burgun e Drenovës dhe duket se ishte miqësuar me grupin e shkodranëve, me të cilët ka planifikuar arratisjen.

Esktradimi
Gëzim Toma u ekstradua në Shqipëri nga Greqia në mars të këtij viti pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai ndodhej prej disa muajsh në burgun e Peqinit ku duket se ka planifikuar një tjetër arratisje. /albeu.com/

Shtuar më 18/10/2019, ora 11:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori