Arkeologët kundër “Velierës”: Asgjë përtej Durrësit të Vangjel Toçit!
Asgjë nuk ka përtej Durrësit të Vangjel Toçit! Anipse vitet kalojnë dhe Durrësi ndryshon çdo ditë, qoftë përmes projekteve zhvillimore, qoftë përmes ndërtimeve pa leje që legalizohen, duket se gjithë ç’kemi ruajtur prej tij, janë zbulimet e para 1990-ës.

Durrësi 2400-vjeçar ende krenohet me ato që nxori në dritë Vangjel Toçi: Amfiteatri, ‘Bukuroshja e Fjetur’, termat romake… Pas tij, ora ndalet, koha po ashtu. Shumëçka që nëntoka e ruajti për shekuj, mjeshtrit e mbitokës e fundosën njëherësh me shtresëzimet e lëvduara në konferenca a ceremoni.

Çfarë është ruajtur nga gërmimet e zbulimet e bëra në Durrës në këto 27 vitet e fundit? Çfarë kemi ruajtur dhe kthyer në monument prej gjurmëve që janë zbuluar pas 1990-ës? Pas varrosjes së Portës së Artë të Egnatias, apo lagjes romake që ende sot e kësaj dite shitet si sukses, shumëçka tjetër ose s’ka dalë fare në dritë, ose është… në fakt ku është?! Ajo që mund të jetë fituar prej perandorëve Anastas e Justinian ngjan e pavlerë, kur lufta mes bizneseve investuese e bashkisë me mbrojtësit e trashëgimisë- ka nxjerrë fitues të parët.

“Në këto 10 vite unë kam bashkëpunuar me çdo ministri. Çdo projekt i imi ka kaluar tek specialistët e kulturës”, – Vangjush Dako, qytetari i parë i Durrësit i lau duart si Ponci Pilat dhe e lëshoi peshën e rëndë të mëkatit tek gardianët e kulturës, që ndër vite paçka emrave të drejtuesve, kanë humbur betejat ligjore e morale – dhe për çdo zë që e hedh kundër këtë, para se ta bëjë, i lutemi më herët të na tregojë një Durrës tjetër prej atij qyteti ‘pagjini’ që gjejmë. Paragrafë të shkëputur ligjesh që citohen, ngjajnë tanimë shterpë, para kaosit të prodhuar – sepse jetojmë në një vend ku “të tall paragrafi, të mbyt paragrafi”.

KËMBËT E KULLËS NË SYTË E ARKEOLOGËVE

Në rrëzë të Kullës Veneciane të shek. 14-të, duken qartë nga larg mjetet e mëdha gërmuese, ndërsa së paku 200 metra nga ai objekt nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje thonë specialistët. Arkeologët kundërshtojnë projektin “Veliera” jo vetëm si një ‘projekt zbukurimi’ 6 milionë eurosh në një qytet që përmbytet, por edhe se ai objekt më së paku dëmton mbitokën, atë që në ligjin e ri të trashëgimisë njihet e nënvizohet si “për herë të parë – shpikja e madhe” përndryshe e njohur si “peizazhi historik”. Ndryshe prej arkeologëve që përdorin furça për të pastruar gjetjet, mjetet që shihen aty janë të rënda, qoftë zona A a B, për çka nuk bihet dakord.

Kliti Kallamata është një prej restauratorëve të njohur në Shqipëri. Në kuadër të debatit mbi zbulimet e fundit pranë Torrës Vececiane në Durrës, Kallamata thotë se “nuk mund të gjykoj nëse zbulimet i përkasin ndonjë godine otomane apo bizantine. Por, ajo çka unë vërej është një lloj neglizhimi nga autoritetet për të kryer në mënyrë profesionale gërmimet e nevojshme, dalja në konkluzione të shpejtuara dhe një lloj stepjeje nga arkeologët (ndoshta nën presion) për të mos u angazhuar seriozisht”. Në një situatë normale aty duhet të kishte zbarkuar i gjithë Instituti i Arkeologjisë dhe jo t’u lihen “gërmimet” lulishtareve të bashkisë”.

I pyetur mbi të ardhmen e atij zbulimi, Kallamata thotë se, “në këto raste vihen në balancë vlerat që duhet të ruhen me ato që do të fitohen nga mosruajtja. Nuk mund të thuhet që tani. E rëndësishme është të gërmohen profesionalisht me të gjitha teknikat e mjetet e nevojshme bashkëkohore dhe të arrihet në konkluzione shkencore”. Konaku i Vidit ridel në skenë me këto gërmime, e mbi këtë Kallamata vëren se, “nëse dalin vetëm themelet, vilen të dhënat dhe më pas vendoset nëse do ruhen krejtësisht, pjesërisht, apo nuk do të ruhen aspak. Këto vendosen në mënyrë të argumentuar dhe shkencore nga këshilla serioze profesionistësh dhe jo nga autoritetet e pushtetit, kushdo qofshin ata”. Një tjetër arkeolog i brezit të vjetër është Skënder Muçaj.

“E mira është që muri rrethues i qytetit të jetë i dukshëm e të mos mbulohet as me rërë, as me beton, jo e jo. Duhet të jetë i dukshëm dhe do i shtonte vlerat qytetit. Ne atë mur kemi, sepse të periudhës helenistike nuk kemi, ndaj le të ruajmë atë që del rastësisht”, thotë ai. Si mënyrë ruajtjeje ai propozon xhamin, “sot edhe në vende të tjera për të parë monumentet që mbeten të dukshme përdoren dyshemetë e qelqta, të cilat nuk kanë vështirësi as në ndërtim, as nuk janë të kushtueshme”. Për çka Muçaj nuk bie fare dakord është “pilotimi, i cili dëmton çdo shtresë të poshtme dhe dihet që Durrësi ka nënshtresa. Nëse bëhen ndërtime, duhet të jenë sipërfaqësore. Kemi vite që nuk ruajmë asgjë që del në Durrës, pasi çdo gjë e gërmuar është zhdukur”.

NËNSHKRUHET PETICION

Ka nisur ndërkohë edhe nënshkrimi i një peticioni, i cili kërkon ndalimin përfundimtar të ndërtimeve, duke ndryshuar projektin e ruajtur rrënojat e dala në dritë. Në peticion shkruhet se kërkohet “shpallja monument kulture e gjetjeve dhe ndryshim i projektit ‘Veliera’ në Durrës”. Sipas hartueseve të peticionit online, shkeljet janë si vijon: 1. Ndërtimi në zonën arkeologjike “A” – e ndaluar!; 2. Strukturat prej betoni, mbi 3 metra dhe të paçmontueshme – të ndaluara! dhe 3. Themele mbi muret dhe varret historike – fakt! Hartuesit e peticionit shënojnë se “është shpuar me sonde dhe derdhur beton midis mureve dhe varreve të zbuluara”.

Ata kërkojnë që të bashkohemi të gjithë për të kërkuar mbrojtjen e mureve dhe topave të zbuluara dhe shpalljen e tyre monument kulture, mosbetonizimin e fragmentit të murit rrethues të qytetit (aktualisht është mbuluar me gurë çakull) dhe të ndryshohet projekti “Veliera”, që parashikon që njëra nga këmbët e saj të vendoset mbi muret e zbuluara. Peticioni i drejtohet Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës, Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

ARKITEKTËT KUNDËR

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka dalë dje kundër asaj që ndodh në Durrës. “Shoqata shpreh jo vetëm keqardhjen, por edhe shqetësimin për impaktin e krijuar nga projekti ‘Veliera’ në trashëgiminë kulturore të qytetit të Durrësit. Ky projekt ka qenë një shembull i dështimit të sistemit të shqyrtimit të projekteve, që zhvillohen në prezencë të vlerave të rëndësishme historike dhe arkitektonike. Mungesa e transparencës në hartimin e një projekti të tillë, shqyrtimit dhe miratimit të tij ka krijuar premisat e duhura për një mungesë të theksuar të besimit në sistem jo thjesht të mjedisit profesional, por edhe të të gjithë publikut”, thuhet në deklaratë.

Arkitektët shtojnë se “vlerat e trashëgimisë mijëravjeçare të Durrësit nuk janë një interes i thjeshtë publik, por mbarëkombëtar dhe nuk mund të barazohen me interesin e një investimi publik të rendit të zakonshëm, siç është projekti ‘Veliera'”. Në vijim vihet në dukje se vlerat historike të Durrësit duhet të prevalojnë në çdo gjykim apo shqyrtim të projekteve private dhe publike. Durrësi ka pasur fatkeqësinë që në vite të përjetojë nënvleftësimin, dëmtimin dhe shpeshherë, shkatërrimin e vlerave historike, arkitektonike dhe të trashëgimisë kulturore. Arkitektët theksojnë se projekte si “Veliera” qëndrojnë jashtë kontekstit urban dhe historik të Durrësit./GSH/
Shtuar më 15/02/2017, ora 09:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori