Arka e Shoqatës së Veteranëve në BDI
Albeu.com
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës, Fazli Veliu, konfirmon se fondi i shoqatës funksionon në kuadër të buxhetit të BDI-së, që shkakton dyshime te ish-ushtarakët e lartë të UÇK-së, të cilët nuk janë pjesë e BDI-së.Fondi i Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës (SHVIL) funksionon në kuadër të buxhetit partiak të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), njoftojnë për “Lajm”, anëtarë të SHVIL-së, të pakënaqur nga trajtimi të cilin ua bënë kjo shoqatë. Në fondin e SHVIL-së, për çdo muaj qarkullojnë prej 30 mijë deri në 37 mijë euro, mjete këto të cilat në formë të pensioneve u paguhen anëtarëve të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Këtë e konfirmon edhe kryetari i SHVIL-së Fazli Veliu, sipas të cilit nuk ka asgjë kontestuese pse fondi i SHVIL-së funksionon në kuadër të BDI-së. “Kjo parti mban përgjegjësinë më të madhe për përkujdesjen ndaj ish-anëtarëve të UÇK-së”, tha Veliu.
Me këtë nuk pajtohen ish-ushtarakët e lartë të UÇK-së, që janë bartës të funksioneve politike jashtë BDI-së. Ata vlerësojnë se funksionimi i fondit të SHVIL-së, në kuadër të BDI-së, i jep ngjyrim politik shoqatës dhe krijon mundësi për keqpërdorime të mjeteve të SHVIL-së për qëllime politike. “Paqartësi dhe keqpërdorime ekzistojnë që prej fillimit. Struktura e UÇK-së që ka qëndruar në Prizren, e që tani prezantohen si BDI, asnjëherë nuk ka bërë sqarime se ku kanë shkuar gjithë ata miliona të grumbulluara në diasporë për organizmin e luftës”, tha Hysni Shaqiri, i cili aktualisht është kryetar i Forcave të Reja Demokratike (FRD), kurse në vitin 2001, ishte i vetmi deputet shqiptarë që braktisi Parlamentin dhe iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së.
Dyshime për keqpërdorim të SHVIL-së prej BDI-së, për qëllime politike, shpreh edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ruzhdi Matoshi, i cili po ashtu në vitin 2001, ishte ushtarak i lartë në kuadër të Brigadës së 112 të UÇK-së “Mujdin Aliu”. “Me vetë faktin se kryetari i SHVIL-së, Fazli Veliu, është një figurë politike e BDI-së, tregon se bëhen keqpërdorime të shumta me fondin e kësaj shoqate. Në këtë mënyrë ata mundohen ta uzurpojnë hapësirën për të folur në emër të invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, kurse në anën tjetër kanë keqpërdorur miliona franga dhe marka nga fondi i ish UÇK-së. Joseriozitetin e tyre ndaj dëshmorëve dhe invalidëve e tregojnë me faktin se edhe pse posedojnë pushtetin qendror dhe lokal, ende nuk kanë sistemuar 200 familjet e tyre”, tha Matoshi.
Deputeti i Partisë Demokratike Kombëtare (PDK), Xhezair Shaqiri, i njohur si komandant “Hoxha”, akuzon BDI-në se manipulon me SHVIL-në. “Të gjithë mjetet e trashëguara prej fondit ‘Liria Kombëtare’, BDI i shfrytëzoi për qëllime personale dhe partiake, e jo ashtu siç ishim marrë vesh pas luftës. Këto keqpërdorime vazhdojnë edhe sot e kësaj dite”, tha Xhezair Shaqiri.
nga ISEN SALIU, Lajm
Shtuar më 11/03/2006, ora 09:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori