“Na jep 200 mijë euro”, kërcënuan 34-vjeçarin në Elbasan për t’i marrë paratë, arrestohet autori, në kërkim i vëllai (EMRAT)

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 35-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e tij.

Sipas policisë, dy vëllezërit kanosën një 34-vjeçar, për t’iu dhënë 200 000 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, të kryera jashtë vendit.

Si rezultat i reagimit menjëherë pas marrjes së denoncimit se një 34-vjeçar shtrëngohej nëpërmjet kanosjes, për të dhënë një shumë të konsiderueshme paras, policia finalizoi operacionin policor të koduar “Pressure”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi  Altin Dervishi , 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi Ervis Dervishi, 31 vjeç, të dy banues në Belsh.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 2 shtetas kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, e cila dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale, në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë, në pronësi të 2 vëllezërve.

Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/Albeu.com/


Shtuar 13.08.2023 09:51

Tags: