Arifi: Duhet te dalim nga qeveria
Albeu.com
Megjithë qëndrimet e kreut të BDI-së Ahmeti se subjekti që ai drejton nuk do të braktisë Qeverinë, nënkryetarja e partisë Teuta Arifi përsëriti sot edhe një herë qëndrimin e saj, se BDI deri në qershor duhet të rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj në Qeverinë Gruevski.
Sipas Arifit, marrëveshja e partnerëve të koalicionit, nuk po respektohet.
“Unë kam mbetur në atë mendim, nuk e kam ndryshuar atë qëndrim për shkak se konsideroj se çështjet apo aspektet e marrëveshjeve të cilat kanë ekzistuar mes BDI-së dhe partnerit të koalicionit nuk respektohen dhe në këtë mënyrë konsideroj se kjo jo vetëm që nuk meriton përkrahjen po aq më tepër meriton një kriticizëm më tepër. Konsideroj se mund ta përsëris edhe një herë se me qershorin ne duhet të rishqyrtojmë gjithsesi politikat tona, aq më tepër se duket qartë se çështjet që kanë të bëjnë me emrin nuk janë duke ecur ashtu siç duhet që do të thotë se integrimet euroatlantike do të kenë krizën e tyre”, thekson Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.
Arifi tha se qëndrimi i saj për rishqyrtimin e braktisjes së Qeverisë, gëzon mbështetje brenda partisë. Sipas saj BDI është një parti politike, dhe nëse nuk është në Qeveri ka ku të shkojë sepse e ka popullin e vet.
“Konsideroj se mendimi im i cili bazohet në rishqyrtimin e politikave partiake në qershor sa i përket pjesëmarrjes në Qeveri por edhe çështjeve tjera është duke fituar një përkrahje serioze dhe unë jam tejet e kënaqur për këtë. Mendoj se BDI nuk është parti e cila nuk ka ku të shkojë përpos pjesëmarrjes në Qeveri, përkundrazi është parti politike e cila mund të ketë dhe ka opsione tjera dhe mund të shkoj së pari afër qytetarëve të vet, afër popullit të vet që të gjejë mënyrat dhe qasjet për problemet ekzistente", shton Teuta Arifi.
Arifi këto komente i bëri disa ditë pasi kreu i BDI-së Ahmeti, pas një takimi që kishte me ambasadorin amerikan Filip Riker, deklaroi se subjekti që ai drejton nuk do të braktisë Qeverinë. (alsat-m)
Shtuar më 25/05/2010, ora 18:48
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori