Argita Berisha: Fazllic, klienti im
Albeu.com
Çështja “Fazlliç” sjell reagimin e Argita Malltezit (Berishës). Vajza e Kryeministrit Berisha pranon se biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, është klienti i saj, duke sqaruar disa nga akuzat që janë bërë së fundmi nën emrin e saj.Ajo thekson se nuk ka qenë asnjëherë ortake e Fazliç dhe se shërbimet që kompania e saj ofron nuk janë publike, por private.

“Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet publike apo mbi asete shtetërore. Në këtë kontekst, shërbimet e kryera nga studioja ime për Damir Fazliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik”, u shpreh Argita Malltezi.

Vajza e Kryeministrit ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë anëtare e ndonjë bordi, komisioni apo grupi të çfarëdollojshëm që është marrë me procesin ligjor, apo ndonjë proces të ngjashëm që lidhet me parkun energjetik të Porto Romanos.

“Në dijeninë time ky fakt vlen dhe për avokaten Flutura Kola. Sfidoj mashtruesit, të cilët pretenduan se disponojnë prova për pjesëmarrjen time në këtë proces, që t’i bëjnë ato publike”, tha ajo.

Aludimet e bëra ditët e fundit, që nxitën edhe reagimin e vajzës së Kryeministrit Berisha, kanë sqaruar edhe një pikë të errët të lidhjes së Damir Fazlliç me Kryeministrin Berisha. Argita Malltezi pranon se për hir të një kodi moral të familjes së saj, ajo nuk i drejtohet gjykatës kur përballet me shpifje të përsëritura, por fton ata persona që flasin në emër të saj të dalin hapur me fakte konkrete dhe jo me tymnaja.

“E gjithë tymnaja e kësaj çështjeje ka si bazë të vetme mashtrimin e nxitur për interesa të pandershme politike dhe ekonomike. Shpreh bindjen se shumë shpejt të gjitha këto interesa do të zbardhen për publikun, duke lënë lakuriq në imoralitetin e tyre fabrikuesit e shpifjeve”, tha ajo.

Malltezi sqaron se shërbimet e kryera nga studioja e saj për të shumëpërfolurin Fazliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik. Malltezi vijon deklaratën e saj, duke konsideruar se “individët dhe grupet që kanë si bukë të përditshme mashtrimet mbrohen nga fakti që unë, për një kod moral të familjes sime, nuk i drejtohem gjykatës”.

Në këtë pikë, Argita Malltezi dëshiron “t’u kujtojë atyre, se pavarësisht nga kjo, të gjitha mashtrimet e hedhura deri më sot në adresën time për konsum politik janë sfumuar për arsyen e vetme se asnjëra prej tyre nuk e ka kaluar dot testin e të vërtetës”.

Malltezi shton se çdo detaj i aktivitetit të saj profesional është tërësisht konform rregullave dhe ligjeve në fuqi. Dhe në fund të deklaratës ajo pohon se “pas çdo stuhie vjen kohë e mirë dhe në dritën e diellit nuk mund të fshihet as e vërteta dhe as mashtrimi”.
Shtuar më 15/10/2008, ora 14:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori