Arben Xhaferri: Presidenti i ri? Shqiptarët po grinden për detajet
Albeu.com
Partitë shqiptare në Maqedoni duhet t’i rikthehen dialogut dhe të lënë pas sedrën e sëmurë që nxit konfliktet për pushtet ndaj njëra-tjetrës”. Kështu ka deklaruar dje themeluesi i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferi.Kështu ka deklaruar themeluesi i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferi, i cili sapo është tërhequr nga drejtimi i kësaj partie për t’ia lënë atë Menduh Thaçit. Ai beson se drejtimi i partisë së tij do të ndryshojë tani, por se marrëdhëniet mes partive shqiptare në vendin fqinj nuk kanë pse të ashpërsohen për arsye që nuk i shërbejnë kauzës shqiptare.


Partitë shqiptare në Maqedoni duhet t’i rikthehen dialogut dhe të lënë pas sedrën e sëmurë që nxit konfliktet për pushtet ndaj njëra-tjetrës”. Kështu ka deklaruar dje në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare”, themeluesi i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferi, i cili sapo është tërhequr nga drejtimi i kësaj partie për t’ia lënë atë Menduh Thaçit. Ai beson se drejtimi i partisë së tij do të ndryshojë tani, por se marrëdhëniet mes partive shqiptare në vendin fqinj nuk kanë pse të ashpërsohen për arsye që nuk i shërbejnë kauzës shqiptare. Lidhur me “odisenë” e zgjedhjes së Presidentit të ri në Shqipëri, ai shprehet se “konfuzioni aktual është pasojë e vitalitetit kombëtar dhe se shpesh nga këto antagonizma do të dalin zgjidhje më të qëndrueshme”.
Z. Xhaferi, pas largimit tuaj dhe zgjedhjes së Menduh Thaçit në krye të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, a mendoni se do të ndryshojë edhe vija e drejtimit të saj?
Do të ishte jonormale të mos ndryshojë. Çdo njeri ka specifikat e veta, vlerësimet e veta për zhvillimet në ekonomi, në politikë, në shoqëri në përgjithësi. Nëse politika do të jetë në relacion me dukuritë reale në shoqëri, mendoj se do të ketë perspektivë, por nëse do të jetë në funksion të interesave joformale, do të hasë në pengesë. Unë kam besim se udhëheqja e re e PDSH-së do të zhvillojë një politikë sinkrone me problemet që shfaqen në shoqëri dhe do të gjejë rrugë për zhbllokim të pengesave që hasen në veprimtarinë politike. Nga ana ime nuk do të kenë kurrfarë pengesash, nëse do të hulumtojnë dhe gjejnë rrugë të reja për realizmin e programit politik që u miratua në Kongresin e IV-të. Vlerësoj se tani është momenti që të europeizohet partia, të modifikohet sipas koncepteve të partive popullore evropiane të qendrës së djathtë. Unë u largova me dëshirë që të krijoj hapësirë për të rinjtë që të dëshmojnë veten lirisht, pa kurrfarë konfliktesh të brendshme që aq shumë e kontaminojnë skenën politike shqiptare. Jam i qetë që pas vetes lë një parti të konsoliduar si nga aspekti doktrinar ashtu edhe strukturor. Nëse do të kem nevojë ta dëshmoj relevancën time, këtë sëmundje që i mundon të gjithë politikanët, atëherë do të gjej forma të tjera duke mos e trazuar partinë që e udhëhoqa 14 vjet.
Çfarë linje mendoni se do të ndiqet në marrëdhëniet me partitë e tjera shqiptare në Maqedoni dhe sidomos me atë që nuk e keni mohuar se e keni rivale, BDI-në?
Duke marrë parasysh traditën e varfër demokratike të shqiptarëve, duke marrë parasysh faktin se në mjediset shqiptare politika zhvillohet në relacionin mik-armik, pres që marrëdhëniet ndërpartiake edhe një kohë të caktuar do të zhvillojmë në trajtën e antagonizmave. Kjo është e natyrshme edhe për popujt me traditë të madhe demokratike. Mendoj se partitë politike, veçmas udhëheqësit e tyre, duhet të pajtohen me faktin se janë mall publik dhe se si çdo mall tjetër që ekspozohet, duhet t’i nënshtrohen vlerësimit pozitiv ose negativ. PDSH-ja deri më tani është mësuar me domosdoshmërinë e kritikës, të pranimit apo të refuzimit, që nuk mund të thuhet për partinë tjetër shqiptare, BDI-në. Ata sikur janë mësuar që të trajtohen si vlera të pakontestueshme morale, politike dhe intelektuale. Duke krijuar një bindje të këtillë, ata madje nuk hetojnë që në prononcimet e tyre rishfaqen, përvidhen mendime të një kohe të kaluar.
Mendoj se është në dobi të të gjithëve që në relacionet ndërpartiake të zhvillohet një debat i sinqertë demokratik dhe intelektual, vetëndërgjegjësues, që do të çmontojë autoritetet që shndërrohen në ikona të paprekshme. Politika moderne ndërtohet mbi vlera që janë fryt i analizave kritike dhe kurrsesi mbi vlerësimet voluntariste të lidershipit. BDI-ja duhet përfundimisht të kuptojë se nuk mund të jetë e adhuruar nga të gjithë, por duhet të pajtohet me adhurimin dhe kritikën e pjesërishme.
A mund të ketë një ashpërsim të marrëdhënieve mes partive shqiptare në Maqedoni?
Pjesa dërmuese e popullatës shqiptare mendon se kjo do të ishte marrëzi dhe një opsion i pamundshëm. Megjithatë, duhet marrë parasysh edhe roli i moshës rinore të popullatës shqiptare. Ekspertët vlerësojnë se ekziston një linjë kauzaliteti mes rritjes së përqindjes së moshës rinore në një shoqëri me shfaqjen e revolucionit, ose të trajtave të tjera të manifestimit kolektiv të pakënaqësisë. Duke e parë objektivisht këtë, nuk ka asnjë motiv për ashpërsim irracional të marrëdhënieve mes partive shqiptare, mirëpo në shoqëritë e dominuara nga të rinjtë konfliktet nisin për shkaqe banale që pastaj, duke u shfrytëzuar nga politikanë të papërgjegjshëm, që relevancën e tyre ta ndërtojnë mbi ofertën që të jenë protektor të një grupi, bëhen problem i madh i gjithë shoqërisë.
Partia e Ali Ahmetit sapo e ka refuzuar thirrjen e z. Thaçi për dialog, për shkak se ftesa nuk ishte e sinqertë dhe nuk ishin bërë të ditura qëllimet. Si e komentoni Ju këtë?
Dëshiroj të besoj se refuzimi është pasojë e sedrës së ndjeshme të udhëheqësisë së BDI-së. Nëse ata me të vërtet dëshirojnë që të japin kontribut real për zgjidhjen e çështjes që ka të bëjë me zyrtarizim të gjuhës shqipe ose me statusin e invalidëve të luftës, atëherë këto objektiva bëhen më të realizueshme nëse partitë shqiptare bashkëpunojnë njëra me tjetrën. Por nëse BDI-ja ka hapur këtë pistë të dialogut për t’i krijuar telashe të vazhdueshme qeverisë aktuale, atëherë nuk do të arrijë as ta japë kontributin e saj për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe as ta dëmtojë koalicionin qeveritar. Në politikë janë shumë të rrezikshme tentativat që përfundojnë me dështim. Mendoj se oferta e kryetarit të ri të PDSH-së është inkurajuese, për shkak se ofron mundësinë e veprimit të përbashkët për qëllime të përbashkëta. Por nëse oferta nuk pranohet realisht, atëherë do të kuptohet qartë se refuzimi nuk ka të bëjë fare me sinqeritetin e PDSH-së, por me qëllimin e fshehtë të BDI-së për ta deklaruar PDSH-në me pohimin se ajo nuk është e zonja të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna gjatë fushatës. Duke e refuzuar ofertën e PDSH-së, BDI-ja synon të krijojë bindjen se ajo edhe në opozitë është më frytdhënëse se sa PDSH-ja në pozitë. Me siguri motivi kryesor i z. Thaçi për dialog ka qenë dëshira që ta bindë z. Ahmeti për kotësinë e përpjekjeve për margjinalizim të PDSH-së dhe se pa pjesëmarrjen e saj asnjë marrëveshje për çështjet kombëtare nuk mund të arrihet me VMRO-DPMNE-në. Refuzimi i dialogut është në dëm të BDI-së, për shkak se ajo paraprakisht e kritikonte kryeministrin dhe partinë e tij për refuzim të dialogut dhe tani nuk do të ketë shpjegime për refuzim të dialogut me PDSH-në. Metoda e standardeve të dyfishta gjithmonë bie në sy dhe dështon.
Statusi i Kosovës është një çështje që ka mbetur ende pezull për shkak të kundërshtimeve ruse në OKB. A mund të cenojë seriozisht stabilitetin në Ballkan shtyrja e zgjidhjes?
Çështjen e statusit të Kosovës mendoj se duhet në mënyrë të pashmangshme ta ndërlidhim me çështjen e paqes, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Të gjithë faktorët relevantë tashmë e kanë të qartë se konceptet serbe për Kosovën ishin shkaktarë për shpërbërjen e Jugosllavisë. Serbët më se 100 vjet u përpoqën që të gjejnë një zgjidhje serbe për Kosovën, por asnjëherë nuk e gjetën atë. Përdorën dhunën, grabitjen e pronës, çpushtetizimin e shqiptarëve, shpërnguljen, kolonizimin e Kosovës, më në fund edhe strategjinë e tokës së djegur, ose ndryshe thënë, gjenocidin, projekt ky i hartuar nga akademikë konkret, në periudha të ndryshme kohore, por dështuan. Shtrohet pyetja nëse këto elaborate dështuan në kohëra të errëta, si mund të realizohen në kohët moderne, ku çdo gjë është në vëzhgim e sipër. Askush në botë nuk mund të imagjinojë mundësinë e rikthimit normal të ushtrisë dhe të segmenteve të tjera të sistemit të sigurisë serbe në Kosovë. Kjo mundësi nuk është normale, prandaj kërkesat serbe dhe mbështetjen ruse duhet kërkuar në dimensionin e anormales. Rusët do të mbështesin pretendimet irracionale serbe për Kosovën, derisa nuk do të kuptohet qartë se politika e tyre ka për premisë solidaritetin racial dhe interesat tjera, që synojnë ta pengojnë zgjerimin e NATO-s dhe inkuadrimin e pjesës së mbetur të Evropës Juglindore në UE. Me këtë politikë joparimore ata synojnë ta provokojnë paqen që u vendos me shpenzimet, kryesisht të shteteve anëtare të NATO-s. Rusia tani për tani zhvillon një politikë konformiste jokoperative për shkak se është e liruar nga shpenzimet, por ky qëndrim shumë shpejtë do të konsumohet. UE-ja e përkrahur nga SHBA-të nuk do të lejojë që dikush nga jashtë të vendos për paqen brenda në Evropë. Marrë në tërësi, lidhur me çështjen e Kosovës, qartësohen gjithnjë më shumë pozicionet racionale dhe ato irracionale. Shtetet perëndimore dhe Kosova janë fatmirësisht në dimensionin e parë dhe fatkeqësisht serbët dhe rusët si gjithnjë janë në dimensionin e dytë. Pikërisht për shkak të polarizimit të këtillë, shqiptarët do të tregojnë vetëdije të lartë që buron nga aleanca me shtetet më demokratike të botës dhe nuk do të lejojnë që provokimet ruso-serbe ta destabilizojnë situatën. Por nëse kjo situatë e zvarritjes do të pengojë zhvillimin normal ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, nëse nga kjo situatë do tentojë të përfitojë propaganda serbe, atëherë objektivisht do të shfaqen grupime që nuk pajtohen me situatën e pengut të vetos raciste ruse.
Si mund të zgjidhet kjo çështje?
Kriza që krijohet rreth Kosovës nuk buron në Kosovë, por jashtë Kosovës. Gabimet janë të hershme dhe janë pasojë e kapacitetit real të shqiptarëve për t’iu kundërvënë ambicieve të shteteve fqinje për hegjemoni. Këto pretendime mbi Kosovën në të njëjtën mënyrë dhe vokabular janë shfaqur edhe gjatë formimit të shtetit shqiptar. Të gjitha këto projekte që buronin nga vlerësimet se shqiptarët janë kafshatë e vogël, pa përkrahje nga jashtë, dështuan jo vetëm për shkak të vitalitetit të shqiptarëve, por edhe për shkak të brutalitetit të politikës hegjemoniste të fqinjëve dhe të sponsorëve të tyre. Por kushtëzimet dhe kërcënimet nuk janë eliminuar, për shkak se ende në politikën ndërkombëtare nuk është çrrënjos e “drejta” për hegjemoni. Çështja e Kosovës u bë peng i interesave joparimore të faktorëve të ndryshëm. Po të ishte zbatuar parimi i barazisë, atëherë çdo element konstituiv i federatës jugosllave në shpërbërje do të fitonte të drejtën për vetëvendosje, rrjedhimisht edhe Kosova. Madje, sidomos Kosova, për shkak se mbi se 90% e popullatës kishte origjinë jo sllave dhe se asnjëherë nuk është pajtuar që të përfshihej brenda kufijve të një shteti artificial siç ishte Jugosllavia. Hyrja e saj në Jugosllavi ishte gabim fatal jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Jugosllavinë dhe promotorin e saj kryesor, Serbinë. Në vend që të korrigjohej ky gabim fatal, fatkeqësisht vazhduan pretendimet e vjetra, që gjithnjë e destabilizojnë paqen në rajon. Rruga e vetme që duhet të ndiqet lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës është konstatimi se u bë gabim fatal ku Kosova dhe viset tjera shqiptare gjeografikisht kompakte dhe të banuara nga një popullatë jo sllave. Ky gabim fatal instaloi një relacion konfliktual serbo-shqiptar që nuk u zgjidh me metodat serbe dhe se është koha të zgjidhet me metoda jo serbe, në këtë fazë edhe me metoda joshqiptare, por ndërkombëtare, siç është Paketa e Ahtisarit. Kjo ofertë është kompromis maksimal që ia merr të drejtën e natyrshme të shqiptarëve për bashkim dhe iu ofron serbëve të drejtën që ata nuk kanë pasur edhe në kohën e Millosheviçit. Pra, Kosova u bë element konstituiv i Jugosllavisë për shkak se në këtë territor të banuar mbi 90% me shqiptarë, morën hov proceset historike për formimin e shtetit shqiptar. Kjo është arsyeja që Kosova ka prodhuar shumë heronj shqiptarë dhe asnjë hero serb, por vetëm kriminelë që ishin pjesë e politikës së gjenocidit. Në Kosovë është zhvilluar historia reale e shqiptarëve për shtetësi dhe kundruall kësaj, është instaluar miti serb që shërbeu si pretekst për krimet e vazhdueshme serbe. Pra, statusi shtetformues, konstituiv i Kosovës, zhvillimet reale historike shqiptare në Kosovë, lufta e drejtë e shqiptarëve kundër projekteve gjenocidale serbe në njërën anë dhe krimet e vazhdueshme serbe si pjesë e elaborateve të hartuara nga institucionet shkencore nga ana tjetër, janë motive të mjaftueshme për ta njohur të drejtën për liri dhe pavarësi të Kosovës.
A mendoni se me krijimin e një shteti të ri shqiptar në Ballkan, shqiptarët mund të jenë faktor edhe më i fortë dhe i rëndësishëm në rajon?
Krijimi i një shteti të ri shqiptar në Ballkan është njohja e një realiteti që deri më tani ka qenë i dhunuar në trajta të ndryshme. Ngulfatja e kapaciteteve reale të shqiptarëve ka qenë krim dhe krijimi i një shteti të ri shqiptar në Ballkan është një korrigjim i vogël i gabimit dhe padrejtësisë së madhe që iu është bërë shqiptarëve në përgjithësi. Shqiptarët do të jenë tash e tutje faktor gjithnjë më i madh në Ballkan, për shkak se kjo do të përputhet me kapacitet e tyre reale.
Shqipëria ndodhet në një pikë të vdekur në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri të saj. A mendoni se kjo situatë ka zgjidhje?
Kur një popull shpenzon shumë energji për detaje, kjo dëshmon faktin se punët e mëdha kanë përfunduar. Krahas kësaj, mendoj se ky konfuzion është pasojë e vitalitetit kombëtar, për shkak se situatat konfliktuale shfaqen thuajse në çdo segment shoqëror. Nga këto antagonizma do të dalin zgjidhje më të qëndrueshme, për shkak se shoqëria shqiptare manifeston gatishmërinë për evropeizim, për shkak se shoqëria shqiptare nuk i duron më autoritetet, por zgjidhjet e atestuara, të verifikuara. Kontestimi i autoriteteve është një hap i madh i shoqërisë shqiptare drejt qytetërimit perëndimor.

nga Elira Canga
Shtuar më 13/07/2007, ora 10:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori