Arben Frroku shpallet i pafajshëm
Mesditën e sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur të pafajshëm Arben Frrokun, të vëllanë e deputetit Mark Frroku, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, raporton Portali Albeu.

Ndërkaq, gjykimi për Arben Frrokun zgjati 13 muaj, pasi ky i fundit u arrestua në Greqi dhe u ekstradua në vendin tonë.

Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm në pretencën e saj, por Gjykata e rrëzoi kërkesën e prokurorëve. Pas daljes nga salla e gjyqit, avokati mbrojtës i Arben Frrokut vlerësoi vendimin e gjykatës, ndërsa theksoi se do ta orientojë klientin e tij që të kërkojë dëmshpërblim për vuajtjet që ka kaluar padrejtësisht.

"Jemi të kënaqur me këtë vendim. Argumentet e Prokurorisë nuk mund të qëndronin, pasi klienti ynë nuk mund të ishte në të njëjtën kohë, në Tiranë dhe në Selanik, në mbrëmjen e vrasjes.

Viktima ka pasur lidhje edhe me shumë persona të tjerë dhe Prokuroria duhet të kishte hetuar edhe në pista të tjera", tha avokati. /albeu.com/

Shtuar më 03/04/2015, ora 15:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori