Aplikimet, Veliaj: S’mund të hyjnë të gjithë në shtet
Pëlqej
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka sqaruar se qeveria do të nxisë hapjen e vendeve të reja të punës në privat, pasi nëse të gjithë do të punësoheshin në shtet, do të ktheheshim në komunizëm.

Në një intervistë televizive, Erion Veliaj sqaroi mënyrën se si është menduar nga qeveria për të sistemuar me punë të gjithë ata që kanë aplikuar në linkun “Dërgo CV”, në faqen e “Facebook”-ut të kryeministrit Edi Rama, shkruan Gazeta Shqiptare.


“Në të gjithë administratën publike punojnë 120 mijë vetë. Ndërkohë që premtimi ynë elektoral ka qenë për 300 mijë vende pune. Një matematikë e thjeshtë të lë të kuptosh që nuk bëhet fjalë vetëm për punësim shtetëror, se ndryshe do punonim të gjithë në shtet e do ktheheshim në komunizëm. Bëhet fjalë për të krijuar kushtet që vendet e punës të lulëzojnë në Shqipëri”, u shpreh Veliaj për “Vizion Plus”.

I pyetur se cila do të ishte zgjidhja për punësimin në shtet, përballë këtij fluksi të madh aplikimesh, Veliaj sqaron se: “Jemi të diktuar edhe nga aritmetika që shumicën e politikave të punësimit t’i inkurajojmë tek sipërmarrja private dhe i gjithë roli i shtetit nuk do të jetë vetëm si një punëdhënës aktiv, por si një instrument, i cili fondet e punësimit, ose fondet e ndihmës ekonomike i bashkon me investimet e sipërmarrjes për të gjeneruar vende pune në sektorin privat. Sot ne kemi një hapësirë të jashtëzakonshme për t’u rritur në fasoneri. Sot ne kemi një aftësi për t’u rritur në call center”, nënvizoi ministri Veliaj.
Shtuar më 03/10/2013, ora 10:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori