AP: Mos largoni nga puna 24 punonjëset e Qëndrës së Zhvillimit Shkodër
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, lidhur me:

-Zbatimin me përpikmëri të legjislacionit të punës në fuqi dhe akteve nënligjore të nxjerra për zbatim të tij, me qëllim moscenimin e të drejtave të punonjësve të institucioneve të përkujdesit social publik, duke ndërprerë marrëdhëniet e punës pa shkak ligjor.

-Shfuqizimin e shkresës nr.6246 datë 04.12.2015 të Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave Sociale, drejtuar Qendrës së Zhvillimit Shkodër dhe marrjen e masave për ndërprerjen e çdo procedure joligjore që do të cenonte liritë dhe të drejtat themelore të punonjësve të institucioneve të përkujdesit social publik.

Pranë institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesë 24 punonjëse, aktualisht pjesë e personelit të Qendrës së Zhvillimit Shkodër. Sipas shpjegimeve të tyre, me shkresën nr.6146 datë 07.12.2015 nga ana e Ministrisë së Mirëqënies Sociale, u janë dërguar rezultatet e testimit pas vlerësimit të njohurive dhe aftësisë të tyre, nga ku ka rezultuar se nga 38 punonjës në total, 24 prej tyre nuk janë kualifikuar.

Në ankesën e tyre, 24 punonjësit shprehen se janë me arsimet përkatëse dhe me eksperiencën disa vjeçare dhe nëpërmjet punës së tyre janë përkushtuar që personat me aftësi të kufizuar që trajtohen në këtë qëndër, të marrin një shërbim sa më cilësor.

Në shkresën e sipërcituar, të vënë në dispozicion nga ana e tyre, thuhet gjithashtu se: “Në zbatim të legjislacionit në fuqi, punonjësit e pakualifikuar do të ritestohen edhe njëherë në 22 Janar 2016, nëse përsëri nuk kualifikohen do të largohen nga vendi i punës”.

Ankueset pretendojnë se në çdo monitorim të bërë nga institucionet kompetente, kanë dalë shumë mirë dhe janë përgëzuar për punën e bërë dhe pothuaj të gjithë janë me arsim të lartë dhe me kualifikimet e duhura për t’i shërbyer kësaj kategorie të sëmurësh.

Ato nuk janë dakort që moskualifikimi nga testimi i kryer, të ndërpresë marrëdhëniet e punës. Avokati i Popullit, si një institucion kushtetues në mbrojtje të të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, vendosi pranimin e ankesës dhe shqyrtimin e saj.

Duke marrë shkas nga kjo ankesë, në një hetim më të gjerë që Avokati i Popullit ka kryer, është konstatuar se nga 557 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik, nuk kanë arritur të kualifikohen në testim 173 punonjës.

Avokati i Popullit gjykon se testimi, për sa kohë nuk është parashikuar si i tillë në akte normative, nuk duhet të përbëjë shkak për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, por të shërbejë për ngritjen e kapaciteteve, nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve të ndryshme, etj.

-Duke iu referuar Kodit të Punës, në asnjë dispozitë nuk parashikohet që ndërprerja e marrëdhënieve të punës mund të bëhet për shkak të moskualifikimit në testime të njohurive.

Konkretisht, Kodi i Punës parashikon rastet specifike për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës në rastet kur ato janë lidhur nëpërmjet kontratave individuale/ kolektive, me afat ose pa afat të përcaktuar. Sipas nenit 146 paragrafi 3 të Kodit të Punës, rezulton se një kontratë pune kur zgjidhet pa shkaqe të arsyeshme është e pavlefshme.

-Gjithashtu referuar Urdhërit nr. 238 datë 04.09.2015 “Për miratimin e Rregullores për vlerësimin e njohurive dhe aftësive praktike të personelit në institucionet e përkujdesit social publik”, rezulton se në asnjë nga dispozitat e kësaj rregulloreje nuk janë parashikuar sanksionet nga moskualifikimi në testim, si dhe konkretisht ndërprerja e marrëdhënieve të punës.

Që në hyrje të kësaj Rregulloreje, kuptohet fakti se pas vlerësimit, me qëllim identifikimin e mangësive, do të kryhet edhe ngritja e kapaciteteve.

Konkretisht, thuhet se: “...Vlerësimi ka për qëllim identifikimin e mangësive në njohuri, aftësi dhe shprehi praktike, të domosdoshme për përmbushjen e detyrave sipas përshkrimit të punës dhe ofrimin e shërbimit në plotësim të nevojave të përfituesve, si dhe adresimin e tyre nëpërmjet aktiviteteve edukuese dhe të zhvillimit të vazhdueshëm profesional.

Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë rregullat, mbi bazën e të cilave do të vlerësohen njohuritë dhe aftësitë praktike të personelit në institucionet e përkujdesit social publik në Republikën e Shqipërisë”.

Nga kjo rezulton se ky penalizim që u bëhet punonjësve në institucionet e përkujdesit social publik, shkon përtej parashikimeve të kësaj rregulloreje. Në të gjithë frymën e Urdhërit, nuk rezulton që testimi ose vlerësimi i njohurive dhe aftësive praktike të bëjë shkak për ndërprerjen e marrëdhenieve të punës.

Testimi 2 vjeçar periodik i parashikuar në nenin 15 të Urdhërit të mësipërm, nënkupton që të evidentohen nevojat dhe mangësitë e stafit për ngritje kapacitetesh dhe jo për të rrezikuar vazhdimësinë në punë. Rreziku i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për shkak të këtij testimi, përbën një cënim të parimit kushtetues të sigurisë juridike.

-Parimi i sigurisë juridike, është një element esencial i parimit të shtetit të së drejtës. Siguria juridike nënkupton, ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë së individit tek shteti, institucionet e tij dhe aktet që ato nxjerrin. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë e referon konceptin e sigurisë juridike, tek e drejta e fituar, pritshmëria e ligjshme dhe besimi i qytetarëve tek shteti për pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara.

Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria juridike, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Besueshmëria e qytetarit ka të bëjë me faktin se ky i fundit, nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve normative që cënojnë dhe përkeqësojnë një gjëndje të vendosur me akte të mëparshme.

Nga shqyrtimi i kësaj çështje, ka rezultuar gjithashtu se Urdhëri i sipërcituar nuk parashikon asnjë procedurë ankimimi të rezultateve të këtij vlerësimi, duke përbërë kështu një cënim të procesit të rregullt ligjor. Në konsideratë të Institucionit të Avokatit të Popullit, vlerësimi i njohurive dhe i aftësive me pasojë ndërprerjen e marrëdhënieve të punës përbën shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. /albeu.com/
Shtuar më 21/01/2016, ora 15:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori