Anulohet vendimi per te denuarit e arratisur te Sopotit
Albeu.com
Gjykata e Apelit në Shkup, pas ankesës së palës mbrojtëse për 7 të dënuarit e rastit të Sopotit, 6 prej të cilëve në arrati, ka kthyer prapa vendimin e Gjykatës themelore Shkupi 1, pasi ka vërejtur shkelje proceduriale.
Me këtë vendim këshilli penal, duhet që në bazë të dëshmive të parashtruara nga pala mbrojtëse të vendosë përsëri për Zenel Klaiqin dhe gjashtë bashkëfshatarët e tij të dënuar në mungesë. Kryetari i gjykatës së Apelit Jordan Mitrinovski, në linjë telefonike për ALSAT tha se Gjykata Themelore Shkupi 1, gjatë vendimit të ri, duhet të marrë parasysh dëshmitë dhe vendimin e gjykatës së Kumanovës.
“Ne vërtetuam se ka shkelje në procedurë që duhet të largohen, e më pas, kur të largohen ato për të cilën ne tregojmë në vendimin tonë, duhet të vlerësohen edhe disa argumente të tjera… kështu që ajo gjykatë duhet të prononcohet patjetër për ato kërkesa që ishin përmbajtur, edhe në kërkesat themelore të palëve. Nëse në atë lëndë për ndonjërin është vendosur diçka ndryshe, ajo duhet të shqyrtohet dhe të vlerësohet, në varësi të saj Gjykata themelore Shkupi 1, të marrë qëndrimin e saj për lëndën e vet", thotë Jordan Mitrinovski, kryetar i Gjykatës së Apelit.
Avokati Vullnet Paçuku shpreson se në rishqyrtim, Gjykata themelore Shkupi 1 do të marrë parasysh dëshmitë e parashtruara nga ai, si dhe vendimin e gjykatës së Kumanovës për kthimin e lëndës nga shkalla e parë.
“Aprovimi do të thotë që përsëri Gjkykata e Shkallës së Parë, këshilli penal do të marrë një vendim të drejtë, vendim ligjor lidhur me këtë kërkesë pasi ne kemi parashtruar dëshmi të cilët në formë të patjetërsueshme flasin se deklarata e dhënë nga dëshmitari i vetëm është e pabesueshme dhe është dhënë si pasojë e dhunës. Tash mbetet Gjykatës themelore të merr vendim që duhet të respektojë të gjitha ato shkelje ligjore që ka konstatuar edhe gjykata e Apelit, t’i respektojë ato, ti marrë parasysh dhe në bazë të gjitha dëshmive të sjell një vendim të bazuar në ligj.”, shpreson avokati Paçuku.
Pas vendimit të Gjykatës themelore në Kumanovë për kthimin e lëndës nga shkalla e parë për katër të dënuarit Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi dhe Shaban Limani, e njëjta lëndë ishte transferuar për gjykim në gjykatën themelore Shkupi 1, pasi sipas ligjit së gjykatave, Gjykata e Kumanovës nuk ishte kompetente të gjykonte për vepra të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rigjykimi për katër të akuzuarit pritet të fillojë gjatë muajit shtator. (alsat-m)
Shtuar më 13/07/2010, ora 22:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori