Anti-korrupsioni, qeveria rikthen ‘spiunët’ me pagesë
Albeu.com
Stimulimi i denoncimeve për rastet e korrupsion it në administratën shqiptare, është projekti më i ri i paraqitur nga qeveria në Kuvendin e Shqipërisë. Shpërblime atyre që padisin kolegët.Projekti, i cili ka vetëm pak ditë në Komisionet Kuvendore, synon të nxisë “spiunimet” në administratën shtetërore, madje duke dhënë edhe shpërblime për denoncuesit e atyre që cilësohen vepra korruptive. Në këtë kuadër, në varësi të rëndësisë së denoncimit, shpërblimi varijon nga 50 mijë lekë në 1 milion lekë. Denoncimet, sipas projekti duhet të paraqiten pranë institucioneve ku është vërejtur veprimi korruptiv dhe aty duhet gjithashtu të regjistrohen. Për të gjithë denoncuesit, projektligji parashikon ruajtje të anonimatit. Ndërkohë, duke anashkaluar të gjitha institucionet e tjera si KLSH-ja, Prokuroria, apo dhe DAP-i, të cilat janë institucionet kompetente për hetimin e rasteve korruptive, apo marrjen e masave, qeveria parashikon caktimin e personave të veçantë brenda institucioneve për të realizuar hetimin e denoncimeve.
Projektligji
Nxitja e pjesëmarrjes së publikut në denoncimin e korrupsionit me synim pastrimin e radhëve të administratës nga të korruptuarit, është thelbi i projektit të qeverisë “Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit”. I pranishëm prej disa ditësh në Kuvend, projektligji kërkon të rrisë masat e kontrollit ndaj punonjësve në Këshillin e Ministrave dhe institucioneve në varësi të tij për vitin 2006. Sipas hartuesve të projektit, nisma bëhet në kuadër të veprimeve të ndërmarra nga qeveria në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit, duke krijuar në këtë mënyrë një strukturë të re hetimi, e cila u paraprin institucioneve aktuale që merren me shkeljet si Prokuroria, KLSH-ja apo dhe DAP-i.
Denoncimi
Në bazë të projektit të paraqitur nga qeveria, denoncimi i praktikave korruptive bëhet pranë institucionit shtetëror në administratën e të cilit janë kryer praktikat korruptive, ose në institucionin epror të tij. Menjëherë pas bërjes së denoncimit, institucionet janë të detyruara të kryejnë regjistrimin, duke hapur një dosje të veçantë administrative. Më tej nga ana e titullarit të institucionit përcaktohet një “person përgjegjës” brenda institucionit, i cili ka kompetencat dhe funksionet administrative, që i lejojnë kryerjen e hetimit ndaj denoncimit të paraqitur.
Shpërblimi
Në projektin e paraqitur parashikohet ndër të tjera, që për të gjithë informatorët e shkeljeve të ruhet anonimati, nëse ata e kërkojnë si dhe dhënia e një shpërblimi në varësi të informacionit të depozituar. Shpërblimi i cili do të jepet vetëm në rast se do të kërkohet nga denoncuesit, varijon në vlerat nga 50 mijë lekë në 1 milionë lekë. Gjithashtu, në të parashikohen edhe raste shpërblimi sipas vlerës së gjobës, apo edhe deri në 6% të vlerës së përfitimit të krijuar për shtetin. Masa e shpërblimit për rastin e parë përcaktohet nga titullari i institucionit ku është vërejtur shkelja, ndërsa në rastet e tjera, nga Ministria e Financave. Në projektligj parashikohet ndër të tjera, edhe ruajtja e anonimatit të personave që kanë denoncuar, si dhe sigurimi i tyre në rast se do të kërkohet një gjë e tillë. Projekti, siguron gjithashtu, se në çdo rast institucionet shtetërore nuk mund të nisin procedim civil, penal apo administrativ ndaj personave që kanë kryer denoncimin edhe në rastet kur ai rezulton i pavërtetë. Nga ky formulim përjashtohen rastet kur denoncuesi është punonjës i institucionit dhe me dashje ka paraqitur një denoncim për një praktikë e cila ishte haptazi e ligjshme.
KLSH
Në bazë të Kushtetutës, institucioni i cili ka në themel kontrollin e veprimtarisë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridik shtetërorë dhe përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor, është KLSH-ja të cilit me anë të këtij projektligji i zbehet funksioni që ka
Prokuroria
Në bazë të nenit 148 të Kushtetutës, organi që ushtron ndjekjen penale si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, është organi i Prokurorisë. Projektligji i paraqitur nga qeveria, parashikon kallëzimin penal vetëm pasi përfundon i gjithë procesi i hetimit nga personat e përcaktuar në institucionet ku është bërë denoncimi
DAP
Një tjetër ligj, i cili anashkalohet nga projekti i qeverisë, është “Kodi i procedurave administrative”, në të cilin përcaktohet se edhe në rastet kur nisma për fillimin e procedimit administrativ vjen nga publiku, është Departamenti i administratës publike ai që i regjistron ato dhe që duhet të ndërmarrë hapat që gjykon
të nevojshme për përgatitjen
e çështjes.
nga Estela Gojka, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 07/03/2006, ora 10:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori