Ankara, kryeministri Erdogan pret Thacin
Albeu.com
Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, zyrtarisht sot e ka mirëpritur kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në Ankara. Vizita e Thaçit ne Turqi, është e para shtetërore në nivel kryeministror që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.Dy kryeministrat do të mbajnë një takim kokë-më-kokë, e më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në këtë takim të Thaçit në Ankara do të diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Erdogan do të organizojë edhe një drekë zyrtare në nder të kryeministrit Thaçi.

Thaçi do të takohet edhe me kryetarin turk, Abdullah Gul, si dhe me zëdhënësin e parlamentit Mehmet Ali Sahin. Ai do të ketë takime edhe në Stamboll.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, kryeministri Hashim Thaçi do të qëndrojë në Stamboll, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topba¡. Po ashtu, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në takimin e organizuar me përfaqësues turk të biznesit, lidhur me investimet në Republikën e Kosovës.

Kryeministrin Thaçi në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqërojnë ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Gjatë vizitës së delegacionit të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, në fushat përkatëse.

Kthimi i tij në Kosovë pritet të bëhet të shtunën, më 22 maj.
Shtuar më 20/05/2010, ora 14:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori