Anëtari i KQZ-së, përplasje Pozitë-Opozitë në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë
Parlamenti ka nisur seancën ku pritet të votohet për shkarkimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, propozuar nga LSI, Ilirjan Muho. Seanca e sotme e Kuvendit pritet në fakt të jetë një seancë e fortë për nga debatet, ndërkohë që janë regjistruar për diskutim 120 deputetë.

Paralelisht me diskutimet duket se po vazhdon edhe kalkulimi i votave në Parlament. Ndryshimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkon minimumi 71 vota, çka do të thotë se demokratët duhet të kërkojnë vota përtej koalicionit të tyre për të arritur këtë shifër.

Aktualisht, Partia Demokratike ka 66 deputetë në Kuvend dhe kjo shifër shkon në 69 po të llogariten edhe votat e dy deputetëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe një votë e Partisë Republikane. Këto janë votat 100 për qind të sigurta të koalicionit të djathtë. Në të njëjtën kohë, vota të mundshme për t’iu bashkuar alternativës së shkarkimit të anëtarit të LSI-së mund të konsiderohen edhe ato të dy ish-deputetëve të PS-së, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët janë shprehur se mbështesin PD--në në këtë nismë.

Të pavendosur janë dy deputetët e tjerë të pavarur, Kastriot Islami dhe Dritan Prifti. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka 61 deputetë, të cilët nëse do të ketë votim në seancën e sotme, do të jenë të gjithë të pranishëm. Këtyre votave u shtohen edhe katër të LSI-së, e cila është më e prekura e këtij votimi, por edhe vota e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në të njëjtin krah pritet të rreshtohet edhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2013, ora 11:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori